Tabloidi britanik Daily Mail ka denoncuar me raste konkrete se si të burgosur, anëtarë të bandave shqiptare, po sfidojnë sistemin britanik të drejtësisë duke futur telefona nëpër qeli.
Sërish personazhe mediatike janë bërë emra të lidhur me grupin Hellbanianz, të lakuar shpesh në Londër për grabitje, narkotrafik dhe prodhimet muzikore në të cilat reklamojnë jetën e jashtëligjshme të tyre.
Video dhe foto të ndryshme të dy anëtarëve të Hellbanianz në burg janë postuar së fundmi në rrjetet sociale.
Postimet janë kryer nga Fabion Kuci dhe Azem Dajci, të cilët të akuzuar për grabitje gjenden në burgun Wormwood Scrubs të Londrës në pritje të një vendimi përfundimtar nga gjykata.
DailyMail thotë se autoritetet kanë ndërhyrë duke i bllokuar profilet në Instagram, duke bërë kontrolle. Javën e shkuar Kryeministri Boris Johnson premtoi 100 milionë paundë fonde për të rritur sigurinë në burgje.
Një sistem skaneri i ngjashëm me aeroportet do të identifikojë dhe bllokojë pajisjet celulare nëpër burgje.
Tabloidi britanik vë në dukje se vetëm muajin e shkuar nëpër qelitë e Wormwood Scrubs gardianët sekuestruan tre celularë iPhone.
Kjo nuk është hera e parë kur anëtarë të grupit Hellbanianz postojnë foto apo video nga burgu në rrjetet sociale. Lulzim Zefi, Marsel Meco dhe Agron Demarky përmenden gjithashtu se kanë bërë të njëjtën gjë.
Më herët Telegraph, DailyMail dhe Standard patën sjellë edhe rastin e Tristen Asllanit, i dënuar me 25 vite burg për drogë dhe armëmbajtje pa leje, i cili përshëndeste grupin e tij nga burgu me postime në rrjetet sociale.
Në të gjitha raportimet mediatike, tabloidët raportojnë duke i cilësuar këto sjellje të bandave shqiptare si tallëse ndaj sistemit britanik të drejtësisë.
Muajin e shkuar mediat raportuan se shqiptarët kontrollojnë në Britani një rrjet prej 5 miliardë paundësh të trafikut të kokainës e gjitha falë lidhjeve direkte me kartelet amerikano-latine.
Përmes muzikës, grupe si Hellbanianz, thuhet se rekrutojnë njerëz për aktivitetet e tyre, ndërsa të dhëna zyrtare tregojnë se rekrutimet janë kryesisht nga veriu i Shqipërisë.
Javën e shkuar mediat italiane denoncuan se si bandat shqiptare trafikojnë njerëz në Britani duke përdorur identitete të vjedhura ndërsa më herët mediat kishin raportuar se shqiptarët janë grupi më i madh i të huajve nëpër burgjet britanike.