Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetesim për parashikimet e bëra nga qeveria në projektbuxhetin 2021, veçanërisht për mbledhjen e të ardhurave për vitin 2021, investimet përmes Partneriteteve Publike-Private dhe borxhit të lartë publik.
Zëvendësguvernatorja e parë Luljeta Minxhozi deklaroi para Komisionit të Ekonomisë se parashikimet e BSH-së për mbledhjen e të ardhurave janë më ulëta se ato të parashikuara nga qeveria:
“Projeksionet tona të të ardhurave janë lehtësisht më të ulëta se projeksionet e Buxhetit.
Po ashtu, pasiguria për të ardhmen si dhe rreziqet e shumta të kahut të poshtëm mund të prodhojnë surpriza negative në grumbullimin e të ardhurave.”
Për këtë arsye, BSH i ka rekomanduar qeverisë që të tregojë kujdesh me shpenzimet e parashikuara në projektbuxhet, të cilat janë të larta, dhe ti bazojë ato në varësi të ritmit së mbledhjes së të ardhurave:
“Ndonëse Projektbuxheti ka kontingjenca për amortizimin e tyre, Banka e Shqipërisë gjykon se realizimi i shpenzimeve të programuara duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ndjekë në ritëm e në kohë nivelin e realizimit të të ardhurave.”
Siç Exit News ka shkruar më parë, parashikimi i qeverisë për vitin 2021 për mbledhjen e të ardhurave është shumë më optimist dhe se parashikimi i bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar – qeveria thotë se të ardhurat e saj do të jenë sa 28,5 për qind e PBB-së në vitin 2021, kurse FMN thotë sa 26,7 për qind e PBB-së.
Ndërsa lidhur me PPP-të, Banka e Shqipërisë thekson se është e nevojshme të vendoset një vlerë kufi se sa përqind të Produktit të Brendshëm Bruto. Shqipëria ka të përcaktuar me ligj se tavani që pagesat e koncesioneve në vit nuk mund të jenë më shumë se 5% e totalit të ardhurave tatimore, por BSH rekomandon miratimin e një vlere tavan për PPP-të në raport me PBN-në.
Po ashtu BSH thekson se qeveria duhet ti miratojë PPP-të duke vlerësuar se cilat investime janë më prioritare:
“Banka e Shqipërisë sugjeron vlerësimin e mundësisë së përfshirjes së një kufiri të sipërm të përgjithshëm mbi vlerën totale të PPP-ve në raport me PBB-në në Ligjin Organik të Buxhetit. Po ashtu, gjejmë me vend të theksojmë që projektet e reja të PPP-ve duhet të miratohen brenda një kornize, e cila mundëson prioritizimin e investimeve publike.”
Në lidhje me borxhin publik, BSH shpreh shqetësimin se pavarësisht parashikimit të qeverisë për të ulur borxhin me dy pikë përqindje deri në fund të vitit 2021, sërish niveli i borxhit mbetet shqetësues:
“Projektbuxheti i vitit 2021 parashikon një reduktim prej rreth dy pikësh përqindje të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, për ta zbritur atë rreth nivelit 78.6% në fund të vitit 2021. Në një aspekt kohor më afatgjatë, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen se ky nivel borxhi vijon të mbetet i lartë.”