Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi shprehet se çdo sondazh nxjerr humbës Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit.
Në një shënim në Facebook, Bardhi, i cili drejton fushatën e PD në Elbasan, ka reaguar ndaj deklaratave të Taulant Ballës të cilat i quan “diversione idiote”.
“Diversionet idiote të Taulant Ballës për Opozitën e Bashkuar kanë vetëm 1 shkak: humbjen e thellë të pushtetit të korruptuar të Edi Ramës dhe Taulant Ballës më 25 Prill! Çdo sondazh i nxjerr humbës, sepse çdo shqiptar e di se Edi Rama dhe Taulant Balla kane vetëm 1 hall: të shtojnë pasuritë e tyre, llogaritë bankare, vilat e fshehura! Ky është modeli që do të shkojë për skrap më 25 Prill.”
Balla ka deklaruar sot se PD dhe LSI “tradhëtuan mandatet që u kish dhëne populli”, duke iu referuar dorëzimit të mandateve nga opozita në shkurt të vitit 2019.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, tha gjithashtu një ditë më parë se PD dhe LSI po bllokojnë votën e emigrantëve.
Bardhi ka paralajmëruar në reagimin e tij se në 25 prill do të vijë ndryshimi dhe se këto zgjedhje do të kenë pjesëmarrjen më të madhe në historinë e Shqipërisë.