
“Ekonomia shqiptare është në kolaps, masat e qeverisë janë kaotike dhe ndihma ekonomike që është e pandjeshme për qytetarët dhe biznesin, për bujqësinë nuk ekziston as si premtim”, u shpreh Kryetari i PD-së Basha gjatë takimit me përfaqësuesit e 37 shoqata të Këshillit të Agrobiznesit.
“Çdo biznes, përfshirë dhe bujqësinë kane nevojë për ndihmë dhe jo fjalë boshe. Me mënyrën si po e menaxhon kjo qeveri situatën, pandemia shëndetësore COVID-19 po shndërrohet në pandeminë ekonomike 2020”, shtoi Zoti Basha.
Ndërsa përfaqësuesit e agrobiznesit u shprehën se fermerët nuk po i shesin “prodhimet dhe po konkurrohen nga produktet e importit të cilat vijnë të subvencionuara në vendet e origjinës”.
Qeveria Rama, e bëri të ditur përmes Ministrit të Bujqësisë Çuçi se nuk do të ketë një paketë financiare për fermerët. Duke folur për televizionin A2, zoti Çuçi u shpreh:
“Bujqësia nuk ka pësuar asnjë destabilitet për shkak të Covid-19. Përkundrazi, ka pasur rritje në prodhim, eksporte dhe shitje. Atëherë, pse duhet të kemi një paketë të veçantë?!”