Kryetari i PD-së Lulzim Basha sulmoi kryeministrin Rama si të lidhur me mafian, të martën. Ai publikoi një video në rrjetet sociale ku akuzoi Ramën se për tu pasuruar është lidhur me mafian dhe ka braktisur qytetarët.
“Në vend që të kujdeset për njerëzit, Rama dhe marionetat e tij janë lidhur me mafian për të shtuar pasuritë e tyre, dhe çmimin e paguajnë shqiptarët”, shkroi Basha.
Në video, ai e akuzoi Ramën se ka kapur sistemin e drejtësisë dhe nuk ka lejuar dënimin e asnjë zyrtari të lart të denoncuar për korrupsion.
Akuzat e Bashës vijnë pas publikimeve të përgjimeve të dhjetra anëtarëve të grupit italian mafioz të ‘Ndrangheta-s, ku dolën në pah lidhjen e tyre me zyrtarë të Bashkisë Tiranë e qeverinë Rama dhe përfshirjen e tyre në tendera korruptivë e leje ndërtimi.
E gjithë skema e pastrimit të parave të mafias italiane në Shqipëri dyshohet se kap vlerën e 250 milionë eurove.