Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bën përgjegjës kryeministrin Rama dhe ministrin Lleshaj për vrasjen e të riut Klodian Rasha dy netë më parë.
Ai e ka cilësuar ngjarjen një brutalitet, i cili sipas tij është “injektuar” në çdo hallkë të qeverisjes nga kryeministri.
“Një brutalitet dhe përgjegjësit nuk janë thjesht ata që shkelën këmbëzën e armës mbi një të ri të pafajshëm, 20 metra nga dera e shtëpisë, por ata që kanë injektuar brutalitetin dhe ashpërsinë në çdo hallkë të qeverisjes.”, tha Basha nga Vlora.
Kryedemokrati kërkoi dorëheqjen e Ramës dhe Lleshajt por shtoi se në mungesë të saj, kryeministri duhet të kishte shkarkuar ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.
“Nuk ka mundësi ta bëjë këtë, sepse frymëzuesi i këtij brutaliteti, kësaj arrogance, kësaj shpërfilljeje për dinjitetin, për jetën njerëzore, për jetën e të rinjve është vetë ai. E keqja ka shkuar në palcë ndaj duhet shkulur me rrënjë.”, shtoi Basha.
Vrasja e Klodian Rashës nga policia ditën e martë ka ngjallur zemërim në opinionin publik ndërsa sot që prej orës 16:00 ka nisur një protestë në Tiranë se cila vijon ende dhe është shoqëruar me momente të tensionuara ku ka patur edhe gaz lotsjellës.