Kryetari i PD-së Lulzim Basha u shpreh se PD, pas përjashtimit të Sali Berishës nuk do të përcahet.
“Partia Demokratike nuk ka rrugë tjetër nuk ka rrugë tjetër përveçse e bashkuar ti prijë kësaj beteje për shqiptarët dhe për Shqipërinë”, ju përgjigj ai gazetarëve, pas përfundimit të seancës plenare, të enjten.
Ai uroi që koha të shëroj inatin e Sali Berishës ndaj tij për përjashtimin nga grupi parlamentar:
“Shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të gjithë të fokusohemi te armiku i vetë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve që është rregjimi i Edi Ramës, problemi kryesor për te sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve”.
Ndërsa për akuzat e Berishës ndaj tij, Basha u shpreh se Berisha po përdor tezat e sajuara nga Edi Rama:
“Edhe njëherë shpreh keqardhjen e thellë që tezat e kundërshtarit të vetëm, timin, të Partisë Demokratike, të çdo shqiptari të ndershëm, të Edi Ramës, sot i kam dëgjuar të artikuluara nga goja e një njeriu, vlerësimin për kontributin e të cilit e kam dhënë dje i qëndroj edhe sot”.
Basha nuk ju përgjigj pyetjes nëse duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas humbjeve të zgjedhjeve për të dytën herë.