Kreu i opozitës Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama se po shpenzon miliona euro për aferën korruptive të inceneratorëve, ndërsa shëndetësinë e ka lënë pa investime
Gjatë një konference me gazetarët, të hënën, Basha deklaroi se Shqipëria është vendi me borxhin më të lartë publik të fsheshur në Europë: 9,5 për qind e borxhit publik është i padeklaruar nga qeveria.
Basha akuzoi Ramën se në këtë kohë krize, ende vazhdon të marrë para borxh për të paguar miqtë e tij oligarkë të koncesioneve:
“Asnjë vend në Europë nuk shpenzon sa Edi Rama për koncesione, 1/10 e gjithë ekonomisë.”
Në lidhje me projektbuxhetin për vitin 2021, Basha tha se Rama e ka çuar vëmendjen tek koncesionet dhe jo te shëndetësia:
“Kanë planifikuar vetëm 3.3 përqind të buxhetit për shëndetësinë, ndërkohë që për koncensionet 118 milionë euro. Për ndërtime godinash dhe zyra duke përfshirë për zyrën kryeministrore 33.3 mil euro.
Fondet për luks zyrash dhe koncesione korruptive, të barabarta me gjysmën e paketës sonë të rimëkëmbjes. Duhet të investoheshin para në shëndetësi dhe jo në koncesione.”
Basha i bëri thirrje Prokurorisë Specialse që të nisë sa më parë hetimet për abuzimet e Ramës me buxhetin e shtetit, përpara se të jetë vonë:
“Çfarë prisni?! Do të jetë shumë vonë, nëse kjo bandë e strukturuar kriminale vazhdon të përgjakë buxhetin, dhe numri i të infektuarve viktimave dhe atyre që zhyten në varfëri rritet, keni detyrimin të veproni sot. Arrestojini dhe vërini para përgjegjësisë hajdutët e milionave në këtë kohë pandemie!”