Basha flet si qytetar—mbështet tubimin e Presidentit, shmang thirrjen direkte për demokratët të marrin pjesë

Nga Exit News
Basha flet si qytetar—mbështet tubimin e Presidentit, shmang thirrjen direkte për demokratët të marrin pjesë

Kryedemokrati Basha ka argumentuar sot, përmes një statusi në Facebook, domosdoshmërinë që çdo qyetar shqiptar të veprojë në mbrojtje të Kushtetutës, veçanërisht kundër kapjes së Gjykatës Kushtetuese.

“Si qytetarë,” ka pohuar Basha “nuk mund të mbyllim sytë kur shteti ligjor merret peng, kur institucionet shkatërrohen, dhe demokracia është në rrezik.”

Bazuar në këtë argumentim, Basha ka deklaruar:

“Prandaj, unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën!”

Basha është mjaftuar me këtë referim ndaj detyrimit moral të çdo qytetari, por nuk u ka bërë thirrje direkte demokratëve, si kryetar partie, që ata të dalin në protestën kundër qeverisë. Basha, gjithashtu, nuk ka lënë të nënkuptohet nëse do të marrë pjesë vetë në tubim.

Pjesa më e madhe e mesazhit të Bashës ka vazhduar me ritheksimin e qendrimeve të tij dhe të opozitës për gjendjen politike. Për zgjidhje e krizës, ai ka pohuar, duke e theksuar me germa kapitale, se ka vetëm një zgjedhje: përfundimi në kohë i refomës zgjedhore dhe mbajtja menjëherë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Është e paqartë nëse Basha ka nënkuptuar mbajtjen menjëher të zgjedhje të parakohshme parlamentare, apo përsëritjen e pritshme të zgjedhjeve lokale në mbi 5 bashki, të cilat kanë mbetur pa kryetar.

Disa javë më parë, përfaqësues demokratë pohuan në publik se pas miratimit të reformës zgjedhore, siç kërkojnë kushtet e Bundestagut gjerman, ajo duhet të provohet duke u zbatuar në zgjedhjet lokale.

Në fakt, mbajtja e zgjedhjeve të pjesësshme lokale duket se do të jetë kompromisi i palëve për t’i paraprirë zgjedhjeve të përgjithshme që, nëse nuk ndryshojnë gjërat, do të mbahen në qershor 2021.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>