Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama se në vend që të fokusohet për të gjetur një mënyrë daljeje nga kriza e Covid-19, mendon se si të grabisë tokën e Teatrit Kombëtar.
Basha e quajti vendimin për kalimin e pronësisë së Teatrit Kombëtar tek Bashkia Tiranë si “akt lufte ndaj artit dhe qytetarisë dhe provokim ndaj BE dhe përfaqësuesve të saj në vigjilje të Ditës së Europës.”
Më 8 maj, në mënyrë të papritur, u bë publik botimi në fletoren zyrtare të vendimit të qeverisë për t’i kaluar tokën e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë.
Ky vendim mund të jetë hapi i parë drejt shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar për të ndërtuar aty sipas projektit të qeverisë, një teatër të ri.
Projekti i qeverisë, sikurse kemi argumentuar, lë të lirë rimarrjen e projektit të zhvillimit nga privatët të zonës pas teatrit, përfshi tjetërsimin e tokës publike në favor të privatëve.
Për më shumë se 2 vjet, qindra artistë dhe aktivistë kanë protestuar çdo ditë kundër shembjes së godinë së teatrit.
Pas bërjes publike të vendimit të qeverisë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për mbrojtjen e Teatrit.