Basha: Hetime për maskat kirurgjikale që ministria i shpërndau mjekëve

Nga Exit News
Basha: Hetime për maskat kirurgjikale që ministria i shpërndau mjekëve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i kërkoi prokurorisë të nisë sa më parë hetimet për maskat kirurgjikale që ministria e Shëndetësisë i ka shpërndarë mjekëve, pasi ka dyshime se ato janë të skaduara.

Në një konferencë për shtyp, Basha tha se grupi i monitorimit të PD-së për masat kundër koronavirusit ka zbuluar se maskat kanë skaduar që prej dhjetorit të vitit 2011:

“Sekretari i PD denoncoi një fakt tronditës të maskave që janë shpërndarë për mjekët. Data e skadencës së këtyre maskave është 2011. Është kriminale. Ftoj prokurorinë të nisë menjëherë hetimin për vënien në përdorim të maskave të skaduara.

Ky akt është tregues se qeveria është jo vetëm e papërgatitur por dhe e papërgjegjshme. Me vetëdije është bërë shpërndarje e maskave të skaduara. Me maska të skaduara, pa mjete mbrojtëse, personeli mjekësor është i pambrojtur. Kështu rrezikohen ata, familjet e tyre dhe pacientët. Ata kështu kthehen në transmetues të virusit. Kjo është papërgjegjshmëri totale.”

Zoti Basha tha se spitalet publike nuk janë përgatitur për të përballuar koronavirusin dhe i kërkoi qeverisë që të marrë sa më shpejtë masat, fillimisht për të pajisur mjekët me mjetet e nevojshme dhe më pas për të siguruar shtimin e shtretërve në spitale.

Kreu i opozitës këshilloi mjekët që të ngrenë zërin për nevojat e tyre në këto moment delikate pasi ata kanë në dorë shëndetin e qytetarëve shqiptarë.

Ndërsa qytetarëve, Basha i këshilloi të mos alarmohen, por të tregohen të kujdesshëm dhe të ndjekin këshillat e mjekëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>