Kryetari i PD-së Lulzim Basha i kërkoi qeverisë t’u shpërndajë të holla për të mbijetuar familjeve në nevojë.
Në një takim online me drejtuesit e degëve të partisë në rrethe, Basha i porositi ata të përcjellin në opinionin publik shqetësimet dhe hallet e njerëzve gjatë krizës së konavirusit.
Basha tha se qytetarët janë në vështirësi për të siguruar jetesën e përditshme dhe se qeveria i ka lënë në harresë mijëra familje të tilla dhe bizneset në prag falimentimi.
“Pa asnjë vonesë, qeveria duhet të shpërndajë fondet e mbijetesës dhe të përfshijë menjëherë të gjithë familjet dhe njerëzit në nevojë. Të mbështesë sipërmarrjen në vështirësi mbijetese, biznesin e vogël, fermerët, fasonët, bizneset prodhuese dhe turizimin, pa përjashtuar askënd”, kërkoi Basha.
Ai vuri në dukje se shqiptarët kanë taksat më të larta në rajon nën qeverisjen e Ramës, por ky i fundit i fshihet përgjegjësisë kur njerëzit kanë nevojë për ndihmë.
Opozita i ka konsideruar minimale dhe të pamjaftueshme masat e qeverisë për mbështetjen financiare për individët dhe bizneset. Ajo e ka akuzuar qeverinë se as ndihmat që ka shpallur publikisht nuk i mbërrijnë vërtet shumicës së njerëzve dhe bizneseve në nevojë.