Kryetari i PD-së Lulzim Basha kujtoi, të shtunën, krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në 23 vjetorin e saj.
Në një postim në Facebook, Basha kujtoi disa prej personazheve themelues të saj:
“Sot, 23 vite më parë u shfaq publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Më 28 nëntor të vitit 1997, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, ishin të parët që dolën para opinionit publik, në varrimin e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci.
Për të gjithë ata që ende nuk e dinin krijimin e UÇK-së, ky ishte një lajm i madh dhe i shumëpritur. Sot ne nderojmë dhe përulemi para sakrificës se luftëtarëve të UÇK-së, shumë prej të cilëve dhanë jetën për lirinë e Kosovës.”
Më këtë rast, Basha vizitoi dhe familjen Llagami, djali i së cilës, Skerdilajd Llagami i njohur si Komandant Shpendi, ra dëshmor gjatë luftës:
“Në një vizitë në familjen Llagami, kujtuam me mall dhe nderim të veçantë heroin e luftës për pavarësinë e Kosovës, Skerdilajd Llagamin – Komandant Shpendin – si dëshmi e pavdekshme e lidhjes së pakëputur mes shqiptarëve. Ai e blatoi jetën e tij në altarin e kësaj të vërtete mbarëkombëtare.”