Kryetari i PD-së Lulzim Basha u shpreh se Kryeministri Rama duhet të zbatonte planin “me 5 pika të 29 shtatorit, 2500 testime në ditë, fonde për shëndetësinë, rimbursimin e mjekimit ambulator, gjendja do të ishte shumë më e mirë”.
Në një diskutim me Sokol Ballën në ‘Real Story’, të enjten, Basha ju drejtua Ramës:
“Edhe sa shqiptarë duhet të vdesin që Edi Rama të ndalë pagesat për inceneratorët e mafias së plehrave?”.
Basha akuzoi qeverinë e “Edi Ramës fsheh shifrat e të infektuarve dhe të të vdekurve nga COVID. Shifrat tona nuk janë të sakta”.
Ai akuzoi Ramën se po mban të ulët numrin e testimeve me qëllim, “për të fshehur të sëmurët dhe vdekjet nga COVID”:
“Testimet janë më të ulëtat në Europë. Kjo është përgjegjësi e qeverisë. 7, 8, 9 edhe dy javë, ka ardhur përgjigja kur ka vdekur pacienti. Mediat tuaja e kanë publikuar, ky grup mediash i ka publikuar.
Përgjigja ka ardhur pas dy javësh, pacienti kishte vdekur apo disa raste fatlume ishte shëruar nga COVID-i. Duke bërë të mundur që testimet të bëhen në një kohë më të shkurtër duke blerë pra testime duke bërë më shumë testime, qeveria mundëson që infeksioni mos të përhapet kaq shpejt”.
Kryetari i opozitës “nëse Edi Rama vazhdon u jep para inceneratorëve të mafias së plehrave dhe nuk jep asnjë qindarkë për shëndetësinë, për ilaçet dhe për mjekët, përgjegjësinë për mbylljen e ka vetëm ai”.