Basha: Me Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme

Basha: Me Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme

Kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi sot se opozita futet në zgjedhje të parakohshme vetëm nëse ato zhvillohen nga një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën si Kryeministër.

Gjatë një vizite në Korçë, Zoti Basha u shpreh:

“30 qershori provoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë një proces të lirë e të ndershëm zgjedhor.

Kërkesat tona janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje legjitime vendore të mbikqyrura nga një qeveri tranzitore dhe çuarja para drejtësisë e gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve.”

Sipas zotit Basha, gjetjet e OSBE-së se zgjedhjet e 30 qershorit ishin në shkelje të dekretit të presidentit, pa zgjedhje reale për votuesit dhe se në to mori pjesë Partia Bindja Demokratike, e regjistruar në shkelje të ligjit, vërteton pretendimet e opozitës së zgjedhjet e 30 qershorit ishin të paligjshme dhe të pavlefshme.

Zoti Basha theksoi se opozita nuk do të bëjë marrëveshje me kryeministrin Rama:

“Edi Rama kërkon Pazar. Gjithë jeta e tij politike është Pazar. Por nuk ka Pazar me Edi Ramën.

Ne i qëndrojmë deri në fund zgjidhjes politike përmes parimeve dhe jo Pazarit.”

Kreu i PD-së shprehu vendosshmërinë për të larguar kryeministrin Rama nga pushteti përmes votës së lirë të qytetarëve shqiptarë:

“Largimi i Edi Ramës si kryeministër është i padiskutueshëm. Fuqia jonë është bashkimi më i madh popullor në 3 dekada pluralizëm, është shumica 85 për qind që thotë ‘Rama ik’.”

Në fund, ai premtoi se të gjithë ata oligarkë që kanë grabitur pasuritë e shqiptarëve dhe ata pushtetarë që kanë bashkëpunuar me krimin për të vjedhur zgjedhjet “nga Dako e Gjiknuri, tek Balla e Rama nuk do të shpëtojë pa dalë para drejtësisë së pavarur.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>