Kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi qeverinë Rama se po lë të jetojnë në kushte çnjerëzore familjet në Manëz, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.
Gjatë një vizite në disa familje, të cilat prej 8 muajsh jeton në çadra, Basha tha se qeveria vazhdon të vjedhë fondet për rindërtimin, teksa qytetarët po lihen në mjerim.
Basha i premtoi qytetarëve në Manëz se kur opozita të vijë në pushtet, qytetarët dhe mirëqenia e tyre do të jetë fokusi kryesor i qeverisë. Ai premtoi dhe vënien para përgjegjësisë për të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me fondet e rindërtimit:
“Të gjithë ata që kanë bërë korrupsion me paratë e tërmetit, do të dalin përpara përgjegjësi. Ata do të japin përgjegjësi përpara ligjit. Ata jetojnë të kamur, ndërsa ju jetoni në çadra.
Me këtë qeveri mos prit asnjë zgjidhje. Unë vij që të shoh sot, ndërsa kur të jemi në qeveri, prioritet do të jeni ju dhe të gjithë familjet e juaja.”