Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka takuar sot ekspertët e Komisionit të Venecias, për të diskutuar mbi procedurën e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Pas takimit, Zoti Basha ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve:
Pyetje — Si e konsideroni vendimin dhe kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit Meta në lidhje me emërimet e reja në Gjykatën kushtetuese?
Basha: “Takimi me ekspertët e Komisionit të Venecias ishte shumë i frytshëm. Me Komisionin e Venecias diskutuam problematikën që është rënduar, që nga kapja e drejtësisë dhe shkatërrrimi i reformës në drejtësi, nga një qeveri që mbron krimet dhe korrupsionin.
Shqipëria është në krizë kushtetese. Pushteti nuk pret as opinion e Venecias, por ka miratuar masa të tjera, në një Kuvend ilegjitim, që forcojnë kapjen e shtetit, drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese.
Shteti shqiptar sot nuk është i shqiptarëve por i një grushti pushtetarësh të lidhur me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh, që kanë kapur zgjedhjet, parlamentin, bashkitë, Gjykatën Kushtetuese, pronat e shqiptarëve.”
Pyetje — Zoti Basha keni kërkuar si zgjidhje qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme, por Partia Socialiste ka deklaruar se zgjedhjet do të jenë vitin e ardhshëm. Si do të zgjidhet?
Basha: “Ne sakrifikuam gjithçka për t’i hapur rrugën një zgjidhje politike për shqiptarët, jo për veten tonë.
Nëse pala tjetër do të vazhdojë të përdorë në mënyrë të paligjshme, pushtetin e paligjshëm, paratë e pista të krimit të organizuar dhe të vendosë interesat e pushtetit të vet dhe të atyre me të cilët ka ardhur në pushtet, kriminelevë dhe oligarkëve, kundër interesave të shqiptarëve, atëherë opozita bashkë me qytetarët do të marrin vendimet që i takojnë një shoqërie evropiane për tu përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin.”
Delegacioni i Komisionit të Venecias pas vizitës në Shqipëri do të shprehë opinionin rreth përplasjes së krijuar mes Presidentit dhe Parlamentin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese