“Nuk kam për t’u tërhequr nga beteja ime kundër asnjë oligarku dhe asnjë të inkriminuari”. Kështu u shpreh Kryetari i PD-së Lulzim Basha, dje në një intervistë për Lutfi Dervishin në TVSH.
Kryetari i opozitës foli për luftën ndaj oligarkisë:
Nuk kam asnjë lidhje me asnjë oligark dhe nuk do të kem lidhje me asnjë oligark. Unë nuk kam për t’u tërhequr nga beteja kundër asnjë oligarku dhe asnjë të inkriminuari. Sulmet ndaj meje kanë për qëllim të heqin vëmendjen nga këto të vërteta.
Për reformën zgjedhore:
Mbështes sistemin maxhoritar, një parlament me 100 vende dhe një senat me më pak vende, pra parlament me dy dhoma.
Për reformën në drejtësi:
Reforma është e keqzbatuar dhe nuk ia ka dalë të çojë para drejtësisë politikanë të lidhur me krimin. Kemi të bëjmë me një qeveri që vonon ngritjen e SPAK dhe BKH. Dhe meqë m’u dha rasti dua të sqaroj se PD dhe opozita mbështet ngritjen një orë më parë të SPAK-ut dhe ngritjen e infrastrukturës me kushtet e nevojshme financiare.