Kryetari i opozitës Lulzim Basha denoncoi sot lidhjen mes ish-ministrit Tahiri dhe personave që u përplasën pak ditë më parë në zonën e ish-Bllokut.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Zoti Basha u shpreh:
“E mbani mend kur Sajmir Tahiri u nis për në Gjermani [në nëntor 2017], pasi ktheu pasaportën? E dini me kë ishte në Gjermani? Me këtë Matën e përfshirë në goditjen me armë midis bandave rivale, në lokalin e Ahmetaj, në zemër të Tiranës”
Sipas kreut të opozitës, konflikti mes dy bandave nuk ka ndodhur për arsye banale siç po përflitet në media, por për pazare droge mes bandave:
“Ngjarja e fundit në Tiranë, që na u shit për katër ditë si përplasje për një këngëtare, është një përplasje për pazare droge. Janë të përfshirë trafikantë të njohur dhe të dokumentuar me lidhje me pushtetin. Bëhet fjalë për pazare kokaine.”
Deri më tani, policia nuk ka zbardhur të plotë ngjarjen e 4 tetorit ku u vra Fabio Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Elion Hado. Ndërkohë në kërkim janë shpallur Ervin Mata dhe Merviol Bilo.
Në media kjo ngjarje është trajtuar si një përplasje banale mes grupit të Martinajt dhe Matës, i fejuari i këngëtares Elvana Gjata, për një ngacmim ndaj kësaj të fundit.