Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë sërish përgjegjës Kryeministrin Edi Rama për situatën politike, sociale dhe ekonomike të vendit.
Në një takim që Basha zhvilloi në Përrenjas me strukturat e PD-ës, ai deklaroi se socialistët nuk kanë plan tjetër veçse atë të grabitjes së pasurive publike.
Për këtë Basha mori si shembull çështjen e Teatrit Kombëtar, për të cilin qeveria ka plan ta shembë dhe me pronat e saj të bëjë pazar me privatët:
Asnjë plan tjetër nuk ka Edi Rama dhe banda e tij përveç grabitjes së pasurive publike si te Teatri Kombëtar ku do të përfitojë 200 milionë euro me 6 kullat e drogës. Asnjë ofertë zhvillimi përveç granitjes së bregdetit nga Saranda dhe Himara në Shëngjin e Velipojë. Milot-Balldreni, Unaza e Re janë po ashtu grabitje me ligj e dhjetëra miliona eurove nga Edi Rama.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se ndërsa shqiptarët mbeten të papunë dhe varfërohen “Rama, Dako, Gjiknuri dhe Balla kridhen në lluks dhe përvetësojnë miliona euro”.
Basha siguroi se demokratët kanë programin e duhur që i kthejnë besimin shqiptarëve te qeverisja. Për këtë ai tha se fillimi i ndryshimit do të nisë me dënimin e të gjithë pushtetarëve që kanë lidhje me krimin.
Për sa i përket qeverisjes vendore dhe mandatimit të socialistëve në krye të bashkive, Basha tha:
Ne nuk pranojmë kurrë këtë uzurpim antikushtetues dhe antiligjor. Aty ku pushteti i paligjshëm, i lindur nga vota e blerë me paratë e drogës dhe të krimit, përpiqet të uzurpojë pushtetin e ligjshëm, pushtetin legjitim të qytetarëve, aty, çdo lloj forme rezistence është legjitime, është e përligjur, dhe ne jo vetëm nuk do ta frenojmë, por do ta inkurajojmë.
Për daljen nga situata, demokratët shohin si zgjidhje vetëm zgjedhjet e përgjithshme vendore dhe lokale pa Ramën Kryeministër:
Largimi i Edi Ramës është kusht i parë dhe i panegociueshëm. Vetëm një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër mund të garantojë votën e qytetarët. Ne e dimë se me votë të lirë dhe të ndershme, Rama është larguar, PD është në krye të qeverisjes së ardhshme të vendit. Jemi të vendosur që shumicën “Rama ik” të 30 qershorit ta kthejmë në forcën e ndryshimit që kërkon çdo shqiptar, që do t’i japë fund braktisjes së vendit për t’u larguar në emigracion, politikave të shpunësimit, shkatërrimit të ekonomisë.