Kreu i PD, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama se është ai dhe qeveria ata që po manipulojnë shifrat e viktimave të Covid-19, dhe jo mjekët.
Në një deklaratë për media, Basha tha se Rama po përdor mjekët për të mos mbajtur përgjegjësi:
“Rama ka gënjyer në lidhje me numrat e viktimave. Nuk janë shifra, por janë qytetarë, janë nëna, baballarë që kanë humbur jetën.
Pasi i ka braktisur dhe i ka lënë pa asnjë mbështetje mjekët dhe infermierët në frontin e përballjes me pandeminë, ai po i keqpërdor ata.
Mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës, jo e mjekëve që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë.”
Basha theksoi se në vend që të ndihmojë shqiptarët, në vend që të përballet me të vërtetën dhe realitetin, Rama vazhdon avazin e sulmeve politike dhe gënjeshtrave.
Ai i bëri thirrje Ramës që nëse nuk ka asgjë për të fshehur, të pranojë hetimin për numrin e viktimave me Covid-19:
“Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19. Boll u fshehe pas gënjeshtrave dhe sulmeve politike. Jepu përgjigje të vërteta qytetarëve të Shqipërisë.”
Më herët kryeministri Rama i quajti shpifje akuzat e PD-së se qeveria ka manipuluar shifrat e viktimave me Covid-19. Sipas Ramës, këto deklarata cenojnë integritetin e mjekëve.