Basha: Rama të japë dorëheqjen, integrimi në BE do qeveri të re

Basha: Rama të japë dorëheqjen, integrimi në BE do qeveri të re

“Është koha që Rama të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj dhe t’ia kthejë mandatin popullit shqiptar.

Ne na duhet një qeveri e re, një qeveri që çon vendin përpara në procesin e integrimit europian, qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Kështu u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha sot në një konferencë për shtyp.

Ai tha se Rama ndryshe nga kryeministri maqedonas Zaev, punon vetëm për interesat personale dhe ka frikë të japë dorëheqjen:

“Asnjë kusht [nuk vuri BE për Maqedoninë] dhe pati një mbështetje gati unanime për hapjen e negociatave.  Megjithatë kryeministri Zaev paraqiti dorëheqjen, i riktheu mandatin qytetarëve dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Nga ana tjeter qeveria jonë e cila është refuzuar nga vendet europiane, vazhdon të mos e lëshojë pushtetin, në dëm të popullit shqiptar.”

Kreu i PD-së Basha tha se Rama ka frikë të japë dorëheqjen dhe të shkojë në zgjedhje të parakohshme:

“Kjo nuk i intereson Edi Ramës sepse nënkupton zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarje të politikës nga krimi, ndarje dhe balancim të pushteteve, institucione të forta dhe të pavarura të drejtesisë.”

Zoti Basha tha se vendimi i Këshillit Europian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë, nuk është refuzim ndaj qytetarëve shqiptarë, por ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Zoti Basha theksoi se kushtet e vëna nga Gjermania dhe BE-ja vërtetojnë dështimin e qeverisë:

“Situata e rënde ekonomike, mungesa e mundësive që vjen prej kapjes se institucioneve dhe pabarazisë para ligjit,  ka detyruar shqiptarët të largohen si azilkërkues. Krimi dhe korrupsioni janë shqetësim për vendet e Bashkimit Europian.

Ndëshkimi i blerjes së e votës, funksionimi i gjykatave të larta të vendit, vënia para drejtësisë e të inkriminuarve dhe korruptuarve në nivele të larta janë kërkesat e panegociueshme për hapjen e negociatave.

Këto nuk janë probleme të Bashkimit Europian siç deklaron propaganda e drejtuar nga kryeministri actual, por janë probleme të qeverisjes së Ramës.”

Ai shtoi se kushtet e vëna nga BE duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për ta futur vendin në rrugën e duhur drejt integrimit europian.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>