Basha: Rilindja e Meta duhet të paguajnë faturën për rrënimin ekonomik – Pikat kryesore të intervistës

Basha: Rilindja e Meta duhet të paguajnë faturën për rrënimin ekonomik – Pikat kryesore të intervistës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një intervistë për gazetaren Eni Vasili, foli për programin ekonomik të PD-së dhe komentoi akuzat mes PS e LSI, duke i quajtur të dy aleatët qeverisës si përgjegjës për rrënimin ekonomik të shqiptarëve këto 4 vjet.

Programi i PD-së:

Ne kemi afro 2 vite që përgatitemi për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Plani ekonomik është hartuar me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj, kanë ardhur ekspertët më të mirë të Merkel.

Kemi prioritete të qarta si uljen e TVSH-së, uljen e taksave, subvencionimin e fermerëve, stazhin e studentëve. Me uljen e taksave do të tërheqim investime. Ky plan do zbatohet me mbështetjen e partnerëve evropianë dhe amerikanë.

Gjithë vëmendja ime është tek ekonomia. Të dielën nuk votohet për llomotitjet e Edi Ramës, as për alibitë e Ilir Metës, por nëse do të kemi apo jo ekonomi të fortë.

Ky është qëllimi i republikës së re: t’u krijojë mundësinë shqiptarëve që të jetojnë këtu në vendin e tyre, me më shumë mundësi.

Për koalicionin PS-LSI:

Rama dështoi të garantonte zgjedhjet. E ka përgjunjur shtetin para një kaste kriminelësh. Kjo është arsyeja pse Edi Rama u detyrua pas 90 ditësh qëndresë të dorëzonte gjysmën e qeverisë, nuk kishte rrugë tjetër.

E kuptoni çfarë ju thonë shqiptarëve?! Qeverisja ka qenë e tmerrshme, ka pasur drogë, Haki Droga, korrupsioni, emërimet. Gjithçka thonë për qeverisjen e përbashkët është e vërtetë. Është ajo qe kemi denoncuar ne për katër vite.

Nuk pretendojmë se përgjegjësinë për këto katër vite e ka LSI. Përgjegjsia është e ndarë mes PS e LSI. Kryeministri ka përgjegjësi për rritjen e taksave, çmimin e energjisë por nuk mund t’i merrte këto vendime pa Ilir Metën. Këta të dy për pushtetin e tyre e kanë futur në gropë ekonominë.

Tepsia për të cilën flasin sot, janë të dy: Rilindja dhe Ilir Meta, të dy duhet të paguajnë faturën të dielën. Këta kanë qenë të dy në qeverisje dhe njëri ka pasur timonin, tjetri mundësinë për ta frenuar. Asnjëri nuk ka bërë detyrën dhe të dy kanë menduar për pushtetin e tyre dhe për pasurimin e njerëzve të tyre.

Takimi me Presidentin Trump:

Kjo foto nuk ka kushtuar asnjë qindarkë dhe është e paçmueshme, ashtu siç ishte takimi me presidentin Trump.

Kisha planifikuar takime me zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë më 18-19 maj, por përkoi me takimin dhe marrëveshjen mazhorancë-opozitë.

Vizita dy ditore në SHBA përkoi me një javë të shpallur nga Shtëpia e Bardhë si “Java e fuqizimit dhe zhvillimit të fuqisë punëtore”. Kam shfrytëzuar këtë vizitë për takime me biznesmenë dhe investitorë të ndryshëm që kanë shfaqur interes për të investuar në Shqipëri.

Takimi me Trump është një mundësi e jashtëzakonshme dhe unë e vendos në dispozicion të shqiptarëve, jo të vetes time.

Lulzim Basha ka qenë dhe mbetet një lider proamerikan. Me mua kryeministror lidhjet me SHBA-në do të forcohen. Me planin tim ekonomik do të rriten investimet amerikane që sot mungojnë në Shqipëri.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>