Kryetari i opozitës Lulzim Basha sot në një komunikim për mediat i përsëriti qeverisës disa kërkesa ekonomike për mbështetjen e bizneseve për të zbutur efektet e krizës së koronavirusit.
Opozita, tha Zoti Basha po punon “për t’i propozuar qeverisë masa dhe plane të mirëstudiuara”, si:
Të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse).
Në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për një periudhë 2 mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin.
Përjashtimin nga tatim fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021).
Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.
Të përjashtohen nga kamatvonesat dhe gjobat për një periudhë 3 mujore.
Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.
Të shtyhet deklarimi i TVSH-së, pagesa e kontributeve, deklarimet e pasqyrave financiare, pagesën e kësteve mujore të tatim fitimit, dhe çdo deklarim tjetër të kërkuar me ligj.
Ndërsa për familjet në nevojë, të moshuarit, dhe familjet e prekura nga tërmeti që po jetojnë në çadra, Zoti Basha i propozon qeverisë t’i furnizojë me ushqime dhe detergjent.
Zoti Basha, gjithashtu i kërkoi qeverisë të jetë transparente me qytetarët për numrin e shtretërve, pajisjeve të frymëmarrjes, ilaçet e nevojshme dhe përballimin e fluksit.