Basha: Shkarkimi i Metës, teatër i Ramës për të hequr vëmendjen nga krimi

Basha: Shkarkimi i Metës, teatër i Ramës për të hequr vëmendjen nga krimi

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se nuk do të ketë marrëveshje mes tij dhe Kryeministrit Rama, sa kohë ai nuk jep dorëheqjen.

“Nuk ka asnjë ulje në tryezë me Edi Ramën sa kohë që ai është në krye të një qeverie ilegjitime.”

Basha akuzoi kryeministrin Rama se kërkon të tërheqë vëmendjen nga kriza politike dhe lidhjet e tij me krimin, përmes ‘teatrove për shkarkimin e presidentit’.

Gjatë një konference me gazetarët, zoti Basha deklaroi:

“I vënë përballë kërkesës për largimin e përgjegjësit për këtë krizë të rënë politike dhe ekonomike, Rama ka vënë në skenë teatrin e shkarkimit të presidentit dhe bën teatër me datën 30 qershor.

E gjithë llogorja e sotme e parlamentit ilegjitim ka vetëm një qëllim: të shfokusojë vëmendjen e opinionit nga fakti që e gjithë Europa dhe bota e di që ne kemi në krye të vendit një bandit të kapur me presh në duar, një njeri që përfaqëson ilegjitimitet dhe që ka ardhur në pushtet me ndihmën e krimit të organizuar.

Mos kini asnjë iluzion, farsa e sotme përfundoi në rezolutë dhe do të përfundojë në një qortim të Edi Ramës. Është pjesë e teatrit të Ramës për të larguar vëmendjen nga kriza ku ka futur vendin.”

Zoti Basha, po ashtu, shtoi se kriza politike nuk zgjidhet dot nga Presidenti Meta.

Më pas, kreu i PD-së përsëriti akuzat ndaj kryeministrit dhe lidhjet e tij me bandat kriminale. Ai deklaroi se duke marrë dhe duke mbajtur pushtetin me bandat kriminale, Rama po e çon vendin drejt një grushti shteti:

“Shqipëria po shkon drejt një grushti shteti me Edi Rmën në pushtet. Në këto kushte kur nuk ka asnjë iluzion e pikë dyshimi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 u diktuan nga krimi i organizuar, paratë e drogës, kërcënimi i votuesve nga shit-blerja masive e votës, nga Avdylajt në Shijak tek Shullazët, nga Bajrat tek Habilajt nga Sanxhaktarët tek bandat e Çobenjve në Korçë.

Këto rrjete kriminale dy vite me parë, përmes një skeme të mirë-menduar dhe ekzekutuar në terren me urdhër të Edi Ramës, asgjësuan procesin zgjedhor.”

Zoti Basha tha se lidhje e Ramës me krimin ka nisur që kur  ishte kryebashkiaku i Tiranës, dhe më pas në vitin 2013, futi në parlament dhe mori në mbrojtje krimenelë që t’i shërbenin për të mbajtur pushtetit:

“Pushteti i Edi Ramës është njësh me pushtetin e kriminelëve. Ata janë ortakët e pushtetit të tij të paligjshëm.”

Akuzave të Ramës se Basha dhe PD janë të lidhur me Rusinë dhe nuk janë pro integrimit të vendit në BE, Basha iu përgjigj:

Cili është presidenti më pro-rus në Ballkan? Republika e Serbisë? Cili është Presidenti i Serbisë? Aleksandër Vuçiç, i cili e konsideron Putinin vëllain e madh. Cila është marrëdhënia midis Edi Ramës dhe Vuçiçit? Është marrëdhënia që çoi deri në tentativën e çmendur për të destabilizuar Ballkanin, për të ndryshuar kufijtë, për të copëtuar Kosovës për të tërhequr vëmendjen nga kriza politike që Edi Rama ka në Shqipëri dhe disa nga problemet që protagonistët kanë në shoqëritë e tyre.

Nëse ka një skenar rus në Shqipëri? Zbatuesi e ka emrin Edi, Astrit, Rama Avdylaj. Nuk ka investim më të madhe për të destabilizuar Shqipërinë, se të shkrish shtetin njësh me krimin. Të tjerat janë broçkulla, të paguara me paratë tuaja, dhjetëra milionë euro.”

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>