Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se zgjedhjet e 30 qershorit treguan qartë se 85 për qind e shqiptarëve refuzuan kryeministrin Rama dhe duan ndryshim.
Në një konferencë për shtyp Zoti Basha u shpreh:
“85 për qind e shqiptarëve duan ndryshim. Kjo është e vetmja vlerë e asaj që ndodhi dje.
Gjithçka tjetër është farse e paligjshme antikushtetuese dhe një provokim për shqiptarët, të cilët nuk ranë pre e tij.
Votimi i djeshëm nuk e zgjidhi, por e thelloi krizën sepse, edhe më fort, dje u rikonfirmua se shkaktari i saj është Edi Rama dhe se me Edi Ramën nuk ka asnjë shpresë se mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.”
Duke përmendur dhe gjetjet paraprake të OSBE/ODHIR-it Basha tha se votimet ishin të paligjshme dhe nuk jo në shërbim të qytetarëve, por në shërbim të Ramës dhe PS-së:
“Marrëzia e 30 qershorit tregoi se çfarë është i gatshëm të bëjë Edi Rama për pushtetin e tij. 30 qershori zbuloi fytyrën e vërtetë të Partisë Socialiste të shkatërruar nga Edi Rama: ajo është parti që tashmë e mbështesin vetëm për para.”
Zoti Basha tha se Kryeministri Rama nuk mund të jetë më pjesë e së ardhmes së vendit:
“Edi Rama duhet refuzuar siç e refuzuat ju. Ai nuk mund të jetë më pjesë e asnjë hapi drejt së ardhmes.
Bashkë me të duhet të largohen dhe të gjithë qeveritarët e korruptuar, të inkriminuar dhe duhet që të gjithë të dalin para drejtësisë.”
Kreu i PD-së tha se ndryshimi që kërkojnë shqiptarët është prioriteti kryesor i opozitës:
“Tani, ndryshimi është prioriteti ynë politik.
Ndryshimi është qëllimi im më i madh. Një ndryshim i thellë politik dhe ekonomik.
Fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve duhet të jetë fillimi i ndryshimit që presim.
Nëse politikanët nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, nëse politikanët nuk dalin para drejtësisë për korrupsionin dhe krimet e tyre, asnjë ndryshim nuk do të jetë i vërtetë.
Ditën kur politikanët të kenë frikë nga ligji, të kenë frikë nga drejtësia, ajo është dita kur Shqipëria është bërë europiane.”