Kryetari i PD-së Lulzim Basha e akuzoi kryeminsitrin Edi Rama se e ka lënë vendin në “baltë”, për 8 vite. Në një takim në Delvinë, të shtunën, Basha i tha qytetarëve se “nuk ka kërcënim më të madh për familjet shqiptare, nuk ka kërcënim më të madh për Shqipërinë sesa edhe 4 vite të tjera”, nën drejtimin e Ramës.
Ai e akuzoi Ramën se nuk ka përfunduar rrugën Kardhiq-Delvinë të nisur nga qeveria e PD-së: “8 vite me radhë projekti që ne nisëm Kardhiq-Delvinë e la në vend numëro”.
“Ky është një projekt i cili nuk bëhet vetëm për Delvinën por bëhet edhe për Sarandën, bëhet për turizmin, bëhet për Shqipërinë”, shtoi Basha.
Basha u shpreh se Rama e kuptuar që do të humbi ndaj po kërkon të futet tek qeveria e Bashës:
“E ndjen etjen tuaj për ndryshim. E kanë kuptuar shpresën që është rindezur në zemrat e shqiptarëve se ne mund ta bëjmë realitet punësimin për rininë”.
Ai i kërkoi qytetarëve në Delvinë të mos votojnë Edi Ramën, por të votojnë PD-në:
“Mos ia hapni derën dështimit për herë të tretë. Koha e Edi Ramës ka mbaruar! Shumica dërmuese e shqiptarëve do të votojnë për ndryshimi”.