Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh të hënën se të gjitha arritjet e mëdha të Shqipërisë janë bërë nën qeverisjen e demokratëve dhe me vulën dhe firmën e ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Gjithçka, që nga rrëzimi i komunizmit dhe demokracia, që nga futja në Këshillin e Europës, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, statusi kandidat, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturorë kanë vulën e demokratëve, kanë vulën e Partisë Demokratike, kanë padiskutim vulën me nënshkrim e Sali Berishës”, tha Basha në një takim me anëtarët e PD-së në Tropojë.
Kjo është hera e tretë që Basha përmend ish-kryeministrin Berisha publikisht pasi ky i fundit u shpall ‘non-grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Lidhur me këtë vendim Basha kërkoi që të bëhen të njohura provat për të cilat Berisha akuzohet për korrupsion dhe minim të demokracisë.
Më herët ai hodhi poshtë akuzat nga Bujar Nishani se ka qenë në dijeni për vendimin që DASH kishte marrë per Berishën.