Kreu i PD-së Lulzim Basha vizitoi, të enjten, një fasoneri në Lezhë për tu njohur nga afër me problemet me të cilat është hasur gjatë muajve të pandemisë.
Administratorja e fasonerisë tha se për shkak të krizës, janë detyruar të heqin pjesën më të madhe të punonjësve nga puna:
“COVID-i na ka shkatërruar psikologjikisht, ekonomikisht, gjithsecilin në çdo anë. Ishin 40 në Mars dhe arritëm këtu. Tani janë 12 veta. Me ditë edhe këto, jo çdo ditë.”
Ajo shtoi se gjatë këtyre muajve kanë përdorur një pjesë të kursimeve për të mbajtur sipërmarrjen në punë:
“Këtu nuk gjen ndihmë, nuk gjen portë të hapur, edhe pastaj ngel që gjithçka duhet ta bësh me lekët e xhepit, dhe vjen dhe një moment që dhe ato mbarojnë dhe kaq. Kaq ishte.”
Gjatë bisedimit me Bashën, administratorja tregoi se ajo është kthyer nga emigrimi për të ndërtuar një biznes në vendin e saj, por për shkak të mungesës së mbështetjes nga qeveria, po mendon të riemigrojë:
“Jemi rikthyer këtu, por dhe këtu nuk ka të ardhme. Kështu që do të rikthehemi përsëri atje nga ia nisëm.”
Basha premtoi se me ardhjen e tij në pushtet, do të punojë për ta bërë Shqipërinë vendin e mundësive, ku të rinjtë të mund të investojnë pa frikë:
“Ne do të largojmë të keqen dhe do të bëjmë gjithçka që ju që jeni kthyer këtu, mos t’ju shkojë dëm sakrifica. Të keni mundësinë të punoni e të prodhoni e të mbani njerëzit në punë dhe ta bëjmë Shqipërinë vendin më atraktiv për investimet e tjera, jo të largojmë këto investime që na kanë ardhur.”
Duke përsëritur disa nga propozimet e tij për planin e rimëkëmbjes Basha tha se ata kanë propozuar që çdo sipërmarrësi t’i jepej 200 mijë lekë të vjetra për çdo punonjës që rikthen në punë.
“Ndihma e dytë që mund t’ju japim është akses në kredi me garanci nga shteti, me një interes jo më të lartë se 2%, ku bie fjala për shpenzime operative apo investime kapitale,”shtoi Basha.