Refuzimi i hapjes së negociatave për Shqipërinë është “një lajm i hidhur për ne shqiptarët, që, edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, vazhdojmë të mbetemi vendi më i izoluar nga Europa.” Kështu e komentoi Kryetari i PD-së Lulzim Basa në një komunikim për mediat nga selia e PD-së refuzimin e vendit tonë nga BE-ja për herë të tretë.
Ai tha se “më i rëndë është fakti se, më shumë se një refuzim i përkohshëm i negociatave, sot, ne shqiptarëve, po na vihet në dyshim aftësia për të përqafuar dhe jetuar sipas standarteve dhe vlerave europiane”. Basha tha se Edi Rama do të përdorë të gjithë propagandën e tij për të fshehur arsyet e vërteta, por për këtë gjendje ka vetëm një përgjegjës qeveria dhe Edi Rama.
“Propaganda e Edi Ramës dhe mercenarëve të tij, do të përpiqet ta mohojë refuzimin. Mos u gënjeni nga propaganda e tij. Ka vetëm një përgjegjës për refuzimin e vazhdueshëm ndaj Shqipërisë: Është qeveria dhe Edi Rama”.
Arsyet e refuzimit të Shqipërisë sipas Bashës janë korrupsioni dhe krimi.
“Negociatat sot do të ishin hapur, nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Europë, nëse Shqipëria nuk do të ishte zonë e lirë e drogës dhe e krimit”.
Basha tha se negociatat do të na ishin hapur nëse:
Shqipëria të mos ishte kanabizuar.
Shqipëria të mos ishte qendër e drogës.
Saimir Tahirët, Elvis Roshët, Vangjush Dakot, Damian Gjiknurët të ishin në burg dhe jo të lirë dhe në majat e politikës, ne do të ishim duke negociuar.
Drejtorët dhe burokratët t’u shërbenin njerëzve, në vend që të vidhnin vota për partinë, do të ishim duke negociuar.
Në vend të fasadave, të kishim ndërtuar porte dhe rrugë, do të ishim duke negociuar.
Në bregdet të ishin duke investuar kompanitë europiane dhe jo oligarkët grabitqarë dhe kriminelët që pastrojnë paratë e drogës, do të ishim duke negociuar.
Mbi të gjitha, sikur të kishim zgjedhje të lira, sot do ishim duke negociuar.
Ndërsa për përgjimet e BILD, Basha u shpreh se:
“Përgjimet e Bild nuk do të kalojnë si një skandal më shumë në qeverinë e Ramës. Nëse nuk do të reagojmë tani, e keqja do të sundojë mbi këdo. Aleanca [krimi, qeveri, administratë dhe Parti Socialiste] në një të vetme është një rrezik i qartë jo vetëm për demokracinë, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë punlike dhe kombëtare të vendit”.
E vetmja mënyrë për të ndaluar që ky skandal të kthehet në një skandal më shumë të qeverisë Rama, sipas Bashës është:
Mungesa e reflektimit dhe humbja e busullës morale e ka normalizuar të keqen mes nesh dhe vrarë reagimin tonë ndaj saj.
[N]jë nga arsyet pse e keqja tek ne përsëritet është sepse ne nuk reflektojmë mbi të, nuk përpiqemi të kuptojmë së çfarë bëmë keq dhe të mësojmë nga gabimet për të mos e përsëritur më.
Nëse nuk do të reagojmë tani, e keqja do të sundojë mbi këdo, në politikë, ekonomi dhe shoqëri. Nuk duhet dhe nuk do ta lejojmë këtë gjë. Këtë herë nuk do të kalojë si më parë. Kjo gjendje nuk duhet të kalojë pa sjellë ndryshim të thellë.
Lulzim Basha tregoi se zgjidhja e vetme për krizën është ndëshkim përmes drejtësisë.
Përgjigjia e vetme është: drejtësia. Ndëshkimi i të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar në mënyrë kriminale për vjedhjen e votës. Vetëm kështu do të mbyllim kapitullin famëkeq të manipulimit të zgjedhjeve.
Zgjidhja e vetme është: ndëshkim përmes drejtësisë.
Thelbi i problemeve tona si shoqëri është pandëshkueshmëria, është fakti që politikanët, të pasurit dhe të fortit janë mbi ligjin, janë vetë ligji, kurse njerëzit e thjeshtë janë viktimat, që nuk i mbron as ligji dhe asgjë.
Pandëshkueshmëria e politikanëve dhe e kriminelëve duhet të mbarojë dhe do të mbarojë tani.
Basha tha se sot “Shqipëria është vendi i dy ekstremeve, i varfërisë dhe pamundësisë për njerëzit e thjeshtë dhe pasurive marramendëse dhe pushtetit të plotfuqishëm të elitës së kriminalizuar të politikës, biznesit dhe krimit.” Ai tha sot shqiptarët duhet të zgjedhin ndërmjet autokracisë apo vlerave perëndimore.
Sot diktatorët dhe autokratët kudo në botë nuk sundojnë më me dhunë ushtarake, por duke manipuluar zgjedhjet për të mbajtur dhe kontrolluar të gjitha pushtetet.
Parlament dhe zgjedhje kanë edhe autokracitë, por ajo që i dallon këto vende nga demokracitë perëndimore, është shteti i së drejtës
Në fund, Kryetari i opozitës i ftojë të gjithë qytetarët të mbështesin thirrjen e opozitës për të protestuar ditën e premte më 21 qershor.
“Nëse doni që fëmijët tuaj të edukohen, punojnë dhe jetojnë si europianë, duhet t’i japim fund pandëshkueshmërisë dhe pushtetit të paligjshëm të politikanëve të korruptuar dhe të inkriminuar”.