Kryetari i opozitës Lulzim Basha paraqiti tri masat që ai do të kishte marrë po të ishte kryeministër i vendit për të përballuar shpërthimin e koronavirusit. Në një intervistë për median shqiptare në SHBA, Nova Media Albania, Zoti Basha iu përgjigjë pyetjes së gazetarëve, kështu:
E para, do të kisha marrë masa urgjente për të mbrojtur shëndetësinë, mjekët infermierët.
E dyta, do të kisha vepruar shumë më shpejt për të blerë respiratorët.
E treta, do të rrisja kapaciteteve testuese dhe kapacitet për të trajtuar ata që përfundojnë në spital.
Zoti Basha tha se duhet 260 milione euro për të përballuar 3 muaj krizën pa dhimbje. Sipas tij, këto para mund të merren nga buxheti i shtetit, 120 milionë nga 12 kontratat konçesionare dhe “140 milionë euro në zërin e investimeve dhe shpenzimeve operative, shpenzime luksi, karburanti etj”.
Ai i mbështeti masat e marra nga qeveria dhe kërkoi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, në mënyrë që të gjitha masat të merren në zbatim të ligjit. Kryedemokrati i bëri thirrje qeverisë të mos lerë nëpër çadra qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.