Menjëherë pas përfundimit të protestës së bizneseve të vogla, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se pas zgjerimit të skemës së TVSH-së, fshihen planet e Kryeministrit Rama për dhënien me koncesion të mbledhjes së TVSH-së:
“Nuk ka asnjë arsye ekonomike, asnjë arsye publike për vendimin e Ramës kundër biznesit të vogël. Ka vetëm dy arsye private: favorizimi i oligarkëve dhe krijimi i kushteve për koncesionin privat të TVSH-së.
Futja e biznesit të vogël në TVSH është goditje që i bëhet biznesit, ekonomisë dhe vetë Shqipërisë. Sipërmarrësit e vegjël janë motori i çdo ekonomie dhe shoqërie: ata krijojnë punësim, ata sjellin zhvillim, ata sjellin mirëqenie.”
Sot bizneset e vogla në Tiranë dhe në qarqet e tjera të vendit ulën qepenat në shenjë proteste kundër futjes në skemën e TVSH-së.
Bazuar në vendimin e Qeverisë Rama, që prej 1 prillit bizneset e vogla me xhiro nga 2 deri në 5 milionë lekë në vit do të paguajnë TVSH. Më parë kjo fashë ishte e përjashtuar nga skema e TVSH-së.
Më poshtë disa foto nga protesta e sotme.