Miratimi i rritjes së çmimit të ujit të pijshëm dhe dhënies me koncesion ndërtimin e shkollave në Tiranë, dje në Këshillin Bashkiak, në kundërshtim me ligjin dhe interesin e qytetarëve, nuk është i pari vendim që është marrë si pasojë e një bashkëpunimi PS-LSI.
Në dhjetor 2015, kur Kryebashkiaku Veliaj kishte vetëm pak muaj në pushtet, propozoi projektvendimin e parë që shkaktoi reagim masiv të qytetarëve: rritja e çmimit të biletës së urbanit nga 30 në 40 lekë. Pavarësisht protestave të qytetarëve dhe kundërshtimit të këshilltarëve të PD-së, rritja e çmimit u miratua në fund të një seance të gjatë debatesh, me votat e këshilltarëve të PS e LSI.
Në po të njëjtën mbledhje, po me votat e PS e LSI e kundërshtimet e opozitës, u miratua dhe paketa fiskale dhe buxheti i vitit 2016, ku ndër të tjera përfshihej dhe rritja e taksave për bizneset që përdornin hapësira publike. E miratuar pa u diskutuar më parë me grupet e interesit, kjo paketë fiskale u ndryshua pak muaj më vonë, pas protestave të sipërmarrësve të vegjël që prekeshin nga rritja e taksave.
Një vit më vonë, në ditët e fundit të 2016-ës, Këshilli Bashkiak, sërish vetëm me votat e PS e LSI, miratuan planin urbanistik të Tiranës në shkelje të plotë të procedurave dhe në mungesë të transparencës.
Në tetor 2016, pas debateve të shumta në Këshill, këshilltarët e djathtë u larguan, ndërsa PS e LSI votoi së bashku dhënien e 22 mijë metra për një afat përdorimi 25 vjeçar shoqërisë Eco-Tirana – shoqëri aksione që menaxhon mbledhjen e plehrave në Tiranë, – kontratë nga e cila Bashkia Tiranë nuk do të marrë asnjë përfitim.
Më pas në qershor 2017, sërish në bashkëpunim me këshilltarët e LSI, Kreybashkiaku Veliaj miratoi kalimin e vendimmarrjes nga Këshilli Bashkiak tek Kryetari i Bashkisë për kompaninë Eco-Tirana, vendim ky që i lejon kryebashkiakut Veliaj të marrë çdo vendim mbi EcoTirana—përfshi aktivitetin, shpenzimet dhe investimet e kompanisë— pa patur nevojë të konsultohet apo të bëjë transparencë përpara Këshillit Bashkiak. Ky vendim madje lejon Zotin Veliaj të vendosë vetë për ndërtimin e inceneratorëve për djegien e mbetjeve, aktivitet iparashikuar në statutin e Eco-Tiranës.
Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, drejtues të lartë të LSI deklaruan se ata do të jenë përkrah popullit, në opozitë, madje u shprehën se do të bënin opozitën e vërtetë që prej kaq vitesh i kishte munguar vendit.
Por pavarësisht se për mbledhjen e djeshme, kryetarja e re e LSI Monika Kryemadhi deklaroi se LSI është distancuar nga dy këshilltarët Genta Mezini dhe Agim Kraja, dy kandidatët që bënë të mundur arritjen e shumicës pres 31 votash, duket se LSI do të jetë edhe në vitet në vazhdim, një patericë në shërbim të Kryebashkiakut Veliaj, e cila do të lejojë që prej saj “të rrjedhin” fiks aq vota sa nevojiten për të miratuar çdo propozim të Veliajt.