Gazetari Erion Skëndaj i News24 ka vënë në diskutim vendimin e Bashkisë Tiranë për të shembur 3 godina në Qytetin Studenti duke treguar se të paktën njëra nga ndërtesat nuk ka pasur dëmtime.
Në një reportazh të kryer këtë fundjavë, ai është futur në godinën numër 18-të, e cila përdorej edhe si qendër shëndetësore. Duke vrojtuar me vëmendje katet e para ka nxjerrë në pah se godina nuk ka pasur dëmtime nga tërmeti.
Me përvojën e raportimeve nga vende të tjera si Thumana, apo Durrësi, të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, gazetari Skëndaj argumentoi se “katet e para janë ato që reflektojnë dëmet më të mëdha”, por në korridoret, apo dhomat e godinës numër 18-të:
“…nuk ka as krisjen më të vogël, as në tavan, as në mure dhe as në kafazët e dyerve […] muret nuk kanë asnjë dëm, as trarët, as pllakat.”
Gazetari Skëndaj vrojtoi disa dhoma dhe theksoi se në të gjitha dhomat e katit të parë nuk kishte asnjë dëmtim të dukshëm nga tërmeti. Dëmtime nuk dukeshin as në fasadë. Ai theksoi se autoritetet kanë shembur hyrjen kryesore të godinës për të mos lënë mundësi hyrjeje për njerëzit.
Gazetari i News24 tregoi se ndërtesa nuk ishte rikonstruktruar ndonjëherë, por pavarësisht lagështisë në fasadë nuk kishte pësuar dëmtime të dukshme. Në fund të reportazhit të tij, Skëndaj ngre me shqetësim pyetjen se “çfarë konstatuan inxhinierët që nxorrën godinën 18 të pabanueshme”.
Godina 18-të u shpall e pabanueshme njësoj si godina 15-të dhe 19-të pas disa inspektimesh të ndryshme.
Më 5 dhjetor Këshilli Bashkiak mori vendimin që të treja të shembeshin pasi u konsideruan të rrezikshëm për banorët dhe studentët. Në godinën 15-të dhe 19-të, strehoheshin me qira dhjetëra familje.
Njësoj, edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës u vendos të shemben 10 godina. Shembjet shoqërohen me premtimin e kryebashkiakut Veliaj se do të ndërtohen kampuse të reja, por që skema e ndërtimit është tejet e paqartë.
Më 12 dhjetor teksa po vëzhgonte nga afër shembjen e një nga godinave në QS, Veliaj tha:
“Siç kemi bërë me shkollat e reja, me një skemë ku ne i bëjmë pagesat ndër vite, besojmë se edhe në Qytet Studenti do të kemi mundësinë të bëjmë pagesat ndër vite teksa fillon një kampus i ri këtu… edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe që nga një fatkeqësi del një avantazh i jashtëzakonshëm për të sjellë një urbanistikë që i bën ballë edhe 100 vite të tjera Tiranës.”
Skema e shkollave së cilës Zoti Veliaj i referohet është ajo e koncesionit për ndërtimin e 17 shkollave, për të cilën privatët fitojnë nga 2,5 milionë euro për çdo projekt dhe qytetarët e paguajnë atë përmes një takse në faturat e ujit.
Por edhe për këtë skemë është e nevojshme një procedurë tenderimi. Edhe pse janë shembur disa godina, ende sot nga Bashkia Tiranë nuk është bërë publike procedura, se kush është projekti i korpusit, apo se kush do ta marrë përsipër për ta ndërtuar.