Bashkia Shkodër ka kërkuar, të enjten, shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për disa zona, ku përmbytjet po shkaktojnë dëme të rënda.
Në një postim në Facebook, bashkia i kërkoi qeverisë të shqyrtojë menjëherë kërkesën për qytetin e Shkodrës dhe për fshatrat Ana e Malit dhe Dajç.
Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të ngarkonte qeverinë, dhe jo bashkinë, me përgjegjësinë për të kompensuar dëmet e përmbytjes.
Ç’do të thotë ‘gjendja e fatkeqësisë natyrore’?
Gjendja e fatkeqësisë natyrore shpallet nga qeveria në rastet e fatkeqësive natyrore që rrezikojnë shëndetin dhe pasurinë e njerëzve, të tilla si tërmetet, përmbytjet, zjarret apo epidemitë.
Në këtë rast, kompensimi për dëmet e shkaktuara mbulohet nga buxheti i shtetit, programi ‘Emergjencat civile’, donacione të ndryshme dhe burime të tjera.
Çfarë të drejtash mund të kufizohen gjatë fatkeqësisë natyrore?
Neni 175 i Kushtetutës përcakton se të drejtat dhe liritë që kufizohen gjatë gjendjes së fakeqësisë natyrore janë
- Paprekshmëria e banesës dhe e personit;
- Liria e lëvizjes;
- Kufizimet në lidhje me shpronësimin dhe e drejta për shpërblim të drejtë;
- E drejta për punë;
- E drejta për grevë.