Bashkia Tiranë hap tenderin €14 milionë për rindërtimin e Piramidës

Nga Exit News
Bashkia Tiranë hap tenderin €14 milionë për rindërtimin e Piramidës

Bashkia Tiranë ka hapur tenderin për rindërtimin dhe transformimin e Piramidës në një qendër edukimi për teknologjinë për të rinjtë.

Fondi limit i tenderit është rreth 14 milionë euro pa TVSH, dhe të gjitha kompanitë e interesuara kanë afat deri në 2 shtator për të dorëzuar ofertat.

Financimi i rindërtimit të Piramidës do të sponzorizohet nga Bashkia Tiranë, Ministria e Arsimit dhe Fondicioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, i cili ka mbuluar dhe shpenzimet për hartimin e projektit.

Pas shpalljes së kompanisë fituese, punimet tek Piramida pritet të zgjasin për 2 vite.

Kryebashkiaku Veliaj ka premtuar prej vitesh rikonstruksionin dhe ndryshimin e funksionit të Piramidës, por vetëm muajt e fundit ka nisur puna konkretisht.

Ndërkohë bashkia ka që prej rreth 2 vitesh që ka rrethuar Piramidën dhe lulishten përreth saj, megjithëse nuk ka pasur leje nga KKT-ja për rindërtimin. Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për rikonstruksionin e Piramidës vetëm në qershor 2020, me kërkesë të Bashkisë Tiranë.

piramida x

Exit News sjell më poshtë kronologjinë për ndryshimin e pronësisë së Piramidës dhe heqjen e statusit ‘monument kulture’:

Për të lehtësuar sa më shumë vendimmarrjen për Piramidën, Qeveria Rama kaloi pronësinë e saj nga qeveria, Ministria e Kulturës, tek Bashkia Tiranë.

Ky vendim i qeverisë e bën më të lehtë vendimarrjen për ndryshim e statusit dhe rikostruktimin e Piramidës. Nëse më parë vendimmarrja për këtë objekt duhej të kalonte në Këshillin e Ministrave tani ajo mbetet vetëm në dorë të kryetarit të Bashkisë.

Në dhjetor 2016, Këshilli i Ministrave transferoi pronësinë e ndërtesës dhe të tokës nga qeveria tek Bashkia Tiranë. Për shkak të ndryshimit në statusin dhe pronësinë e Piramidës, do të kishte më pak mbikëqyrje.

Me VKM-në e dhjetorit 2016, përcaktohej se “Piramida” do të përdoret nga Bashkia e Tiranës si “një qendër multifunksionale për organizimin e shfaqjeve sociale dhe për promovimin e artit, kulturës dhe teknologjisë.”

Më pas, në prill 2017, ishte heqja e Piramidës si pjesë e qendrës historike të Tiranës, duke i hequr asaj mbrojtjen si monument kulture.

Planet e Bashkisë për rikonstruksionin e Piramidës

Kryebashkiaku Veliaj ka premtuar se Piramida ‘do të  transformohet në një nga qendrat më të mëdha të inovacionit dhe teknologjisë, artit e kulturës, në rajon.’

Projektin për rikonstruksionin e saj e ka bërë arkitekti i preferuar i Ramës, hollandezi Winy Maas, mbështetur në Tiranë nga një tjetër arkitekt i afërt me Ramën, Gent Agolli, i studios I RI.

I gjithë procesi është bërë në mungesë të plotë transparence dhe me manovra për të shmangur tenderimet publike dhe garën.

Në janar 2017, arkitekti holandez i MVRDV-së, Winy Maas, mori pjesë në një diskutim nga Bashkia Tiranë organizuar tek Piramida për planet për rikonstruksionin e Piramidës.

Në qershor 2018, u bë publik lajmi se MVRDVmori” tenderin për rindërtimin e Piramidës pa ndonjë konkurs publik apo tender.

Në faqen zyrtare të firmës MVRDV ishte shënuar qartë se projekti i Piramidës ishte projekt për Bashkinë e Tiranës (domethënë, një projekt publik që duhet t’i nënshtrohet ligjeve të prokurimit publik) për një “shumë të pazbuluar” parash. Kjo është dukshëm në kundërshtim me ligjin, pasi shuma e parave duhet të ishte bërë publike.

mvdrv
mvdrv

Siç Exit News ka shkruar më parë, zgjidhja e këtij “problemi”, pra detyrimit për garë publike, ishte ndryshimi i klientit nga Bashkia Tiranë në Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), një fondacion privat që nuk i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik shqiptar, duke hequr tërësisht çdo referencë në kosto. Kështu projekti tani shfaqet në faqen e internetit të MVRDV-së me klient AADF-në, ndërsa në dokumentet zyrtare të tenderit si kliente shfaqet dhe Bashkia Tiranë, megjithëse nuk ka bërë asnjë procedurë publike.

iri
Foto nga dokumentet zyrtare të tenderit

Në maj 2018, Veliaj prezantoi, bashkë me Ramën dhe AADF-në, projektin e Piramidës dhe tha se ajo do të përdoret për fëmijët dhe të rinjtë do të mësojnë të kodojnë:

“Në Tiranë do të fillojmë të kodojmë, të merremi me robotikë, me inteligjencë artificiale, softëare design nga mosha 5 vjeç deri 35 apo 45 vjeç.

Ideja është që të shkohet në një vend të bukur, jo në një  tjetër shkollë ku dikush shkon me detyrim se do marrë një notë, por në një hapësirë që është jo vetëm në zemër të qytetit, por që është edhe xhavahiri më i çmuar i qytetit.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>