Delegacioni i BE-së në Tiranë, përmes një deklarate, dënoi sot “dhunën” gjatë protestave të djeshme dhe “sjelljen” e deputetëve gjatë seancës parlamentare në të cilën Arta Marku u zgjodh dhe u betua si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme:
“BE-ja dënon dhunën në protestat e djeshme dhe sjelljen e anëtarëve të Parlamentit në seancën plenare.
Proceset demokratike, qofshin ato seanca parlamentare apo protesta, duhen lejuar të zhvillohen në mënyrë paqësore.
Qytetarët shqiptarë u kërkojnë përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të tregojnë lidership dhe përgjegjësi, si dhe të punojnë në partneritet për të ndjekur reformat e rëndësishme që janë gjithashtu vendimtare për aspiratën e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.”
Ashtu si fjalimi i ambasadorit amerikan Donald Lu, dje, kjo deklaratë tregon vetëm rritjen e shkëputjes nga realiteti që ka prekur burokratët ndërkombëtarë të cilët jetojnë në Shqipëri në rezidenca të financuara nga mafia.
Në deklaratën e BE-së nuk janë pasaktësitë ato që e bëjnë atë të dobët, por përfshirja në deklaratë e një subjektivizmi që në realitet nuk ekziston.
Le t’i hedhim një vështrim fjalisë së mëposhtme:
“Proceset demokratike, qofshin ato seanca parlamentare apo protesta, duhen lejuar të zhvillohen në mënyrë paqësore”.
Pyetja është se kush ose çfarë “e lejon” një seancë apo një protestë “të ndodhë në mënyrë paqësore”. A nuk duhet të jetë kjo përgjegjësi e Policisë së Shtetit ose e Kryetarit të Parlamentit? Por Policia e Shtetit është delegjitimuar plotësisht nga përfshirja e saj në krimin e organizuar dhe Kryetari i Kuvendit ka urdhëruar vrasjen e civilëve kur ishte ministër i regjimit komunist! Duke e fromuluar fjalinë në formën pasive, BE i shmang këto realitete të pakëndshme.
Një tjetër nga fjalitë pasive është “sjellja e deputetëve”. Për çfarë po flasim? A po i drejtohet BE-ja bllokimit të foltores së Kuvendit nga anëtarët e opozitës apo po flet për për deputetin e PS-së Taulant Balla, i cili është fotografuar duke përdorur kartat e votimit të opozitës?
Por në fund, mashtrimi më i madh retorik i gjithë deklaratës është thirrja për “qytetarët shqiptarë”, njësoj si thirrja e Lu-së dje. Kush janë këta “qytetarë shqiptarë” të cilët “kërkojnë” “lidership dhe përgjegjësi”? Unë nuk kam parë e dëgjuar qytetarë të shprehin këto ndjenja, as në komentet në faqen e Facebook të Edi Ramës, as në protestën jashtë Parlamentit.
Qytetarët shqiptarë janë ose adhurues të udhëheqësit të tyre të madh ose kërkojnë që Kushtetuta të respektohet, ndërsa një grup i tretë nuk tregon asnjë interes dhe thjesht përpiqet të mbijetojë.
Por të kërkojë “lidership dhe përgjegjësi” është diçka që asnjëri prej tyre nuk do të imagjinonte as në ëndrrat më të bukura – spese është diçka thjesht përtej të mundëshmes.
Kur BE thotë “qytetarët shqiptarë”, ajo në fakt e ka fjalën për veten. Delegacioni i BE-së në Tiranë dëshiron që “përfaqësuesit e zgjedhur të tregojnë lidership dhe përgjegjësi” dhe “të punojnë në partneritet për të ndjekur reforma të rëndësishme”. Por Delegacioni i BE-së në Tiranë ka kuptuar se ka dështuar për të “ushqyer” kushtet për udhëheqje të tillë dhe përgjegjësi, duke krijuar një kaos ligjor dhe vakum juridik me një reformë në drejtësi që është jorealiste.
Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, e kupton se tani që mandatit të saj po i vjen fundi, e vetmja gjë që ajo ka nevojë është që disa gjykatës dhe prokurorë që kapen nga vetingu, e ndonjë deputet i korruptuar i opozitës të arrestohet me qëllim që ajo të shpallë fitoren e “reformës”.
E me siguri, kur të ndodhin këto, Vlahutin do të shkruajë në Twitter: “Qytetarët shqiptarë kanë fituar!”.