Fondi prej 100 milionë eurosh që Bashkimi Europian i dhuroi Shqipërisë në Konferencën e Donatorëve do të përdoret për restaurimin e shkollave dhe siteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti.
Lajmin e ka bërë publik ambasadori i BE-së Luigi Soreca, i cili në një intervistë për Panoramën, sqaroi se 50 milionë euro do të përdoren për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti, përfshirë furnizimin me pajisje dhe orendi.
Ndërsa 50 milionë euro të tjera do të përdoren për programin “EU4Culture” (BE për Kulturën), që synon rehabilitimin dhe restaurimin e vendeve historike dhe kulturore të dëmtuara nga tërmeti, por edhe për të nxitur turizmin në Shqipëri dhe zhvillimin ekonomik të zonave përkatëse.
Ambasadori tha se Delegacioni i BE-së po punon me Ministrinë e Kulturës për hartimin e projekteve konkrete.