Kufijtë e Bashkimit Europian do të jenë të mbyllura pas 1 korrikut me vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe Malit të Zi.
Vendimi u mor të premten duke marrë parasysh situatën epidemiologjike në këto vende.
Kjo do të thotë se për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën kufizimet do të mbeten, edhe pas ditës së parë të korrikut.
Më herët vendet e Bashkimit Europian do të vendosnin vetë nëse do të hapin kufijtë për udhëtarët nga vendet e Ballkanit pas datës 1 korrik.
Dy javë më parë, Komisioni Europian i rekomandoi vendeve të BE-së të hapin kufijtë në 1 korrik dhe të rinisin fluturimet si zakonisht, duke e arsyetuar në atë kohë këtë rekomandim me gjendjen e mirë epidemiologjike në Ballkan.
Por në dy javët e fundit, shifrat e të infektuarve në Ballkan janë rritur ndjeshëm, edhe për shkak të rihapjes së vendeve dhe rikthimit të bizneseve në punë.