Delegacioni i BE-së në Tiranë i ka kërkuar qeverisë shqiptare sqarime mbi Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë koncesionin për Portin e Durrësit i cili iu dha një kompanie nga Emiratet e Bashkuara, Symphony Invest.
Ata kërkojnë që të vlerësojnë përputhjen mes marrëveshjes së koncesionit me Marrëveshjen e Asociimit të Stabilizimit të BE-së, në të cilën Shqipëria është pjesë.
Sipas një njoftimi për shtyp të botuar nga BE, Këshilli i Stabilizim -Asociimit vuri në dukje se periudha kalimtare e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit përfundoi në 31 Mars 2019 dhe që nga 1 Prilli 2019, Shqipëria është plotësisht në një linjë me BE në këtë drejtim.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në përcakton kushte të rrepta të konkurrencës dhe transparencës për koncesionet dhe investimet në vend.
Gjithashtu nuk lejon që trajtimi preferencial t’u jepet vendeve jo anëtare të BE-së. Natyra e marrëveshjes dhe koncesionit me një kompani të Emirateve duket se i anashkalon këto dispozita dhe parandalon konkurrencën e ndershme nga vendet e BE-së.
Exit News kërkoi sqarim nëse marrëveshja dhe koncesioni shkelin kriteret e MSA-së dhe nëse ata e kanë adresuar çështjen me autoritetet.
Delegacioni i BE-së u përgjigj se:
“BE është në dijeni të marrëveshjes së përfunduar në nëntor të vitit të kaluar midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila përfshin një rizhvillim të madh të portit të Durrësit.
BE u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të japin sqarime në mënyrë që të vlerësojnë pajtueshmërinë e marrëveshjes me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit midis BE dhe Shqipërisë “.
Kryeministri Edi Rama firmosi më 26 nëntor në Abu Dabi me princin e kurorës marrëveshjen për ndërtimin e 2000 apartamenteve dhe portin e ri turistik të Durrësit.
“Sot firmosa marrëveshjen mes dy qeverive për negociata për investime të drejtpërdrejta në Shqipëri duke nisur nga Durrës. Në Durrës do të ketë një investim për transformimin e porteve të mallrave në portin turistik”, tha Edi Rama.
Emiratet e Bashkuara u zotuan se do t’i japin vendit tonë 70 milionë euro për procesin e rindërtimit, në Konferencën e Donatorëve.