Bashkimi Evropian synon të vaksinojë 70 për qind të popullsisë së rritur kundër COVID-19 deri në qershor. Kështu deklaroi të martën zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas në një konferencë për media.
Ai tha se plani është dakorduar nga të gjithë komisionarët e BE-së.
Komunikimi i Komisionit Evropian rikonfirmon nevojën për certifikata të vaksinimit, por ua lë qeverive të BE-së në dorë, që të përcaktojnë kushtet dhe privilegjet që dokumenti do të lejonte.
Komisionerja e Shëndetësisë, Stella Kyriakides tha se në bazë të strategjisë së blerjes së përbashkët të BE-së, do të ketë doza të mjaftueshme për të vaksinuar 80 për qind të popullsisë së BE-së prej 450 milionësh.
Ajo e quajti “të parakohshme” të fliste për përdorime të tjera të një çertifikimi të tillë sesa qëllimi mjekësor.
Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas tha se:
“Deri në verë, vendet anëtare duhet të kenë vaksinuar një minimum prej 70 për qind të popullsisë së rritur”.