Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell dhe Komisionerit Olivér Várhelyi kërkuan vazhdimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në një deklaratë për shtyp, për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe BE pret që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive për vazhdimin e takimeve të Dialogut të lehtësuar nga BE dhe të shfrytëzojnë mundësinë para tyre për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, shkruhet në deklaratën për shtyp të BE-së.
Përfaqësuesit e BE-së u shprehën se Mision i Ekspertëve Zgjedhor (EEM) të BE-së “do të mbetet në Kosovë për të ndjekur procedurat post-zgjedhore gjithashtu dhe për të nxjerrë rekomandime”.
Ata shprehën angazhimin e BE-së për të mbështetur Kosovën në arritjen e progresit të prekshëm në rrugën e saj Evropiane.