BE kritikon vendet evropiane për trajtimin e romëve

Nga Alice Taylor
BE kritikon vendet evropiane për trajtimin e romëve

Komisioni Evropian (KE) ka nisur një plan të ri veprimi 10-vjeçar për të mbështetur romët në BE.

Plani që do të zgjasë deri në vitin 2030 përqendrohet në shtatë fusha kryesore: barazia, përfshirja, pjesëmarrja, arsimi, punësimi, shëndetësia dhe strehimi. Komisioni ka dalë me synime dhe rekomandime për shtetet anëtare se si mund t’i arrijnë ato. Këto do të shërbejnë gjithashtu si një mënyrë për të monitoruar përmirësimin e kushteve jetësore të romët që jetojnë brenda BE-së.

Nënkryetarja për Vlerat dhe Transparencën, Věra Jourová, tha: “Thënë thjesht, gjatë dhjetë viteve të fundit ne nuk kemi bërë sa duhet për të mbështetur popullatën rome në BE. Kjo është e pafalshme. Shumë vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe racizëm”.

Komisionerja për Barazi, Helena Dalli tha se nëse BE do të jetë një bashkim i barazisë, romët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, të përfshihen shoqërisht dhe të jenë në gjendje të marrin pjesë në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe politike.

KE vuri në dukje se janë bërë disa përmirësime në BE, kryesisht përsa i përket arsimit. Ata thanë se ka ende një rrugë të gjatë për të bërë pasi margjinalizimi, diskriminimi, antigjipsizmi dhe përjashtimi socio-ekonomik janë të përhapura.

Nuk dihet saktësisht se sa romë jetojnë në Shqipëri. Burimet zyrtare thonë për rreth 1300 romë, por burime të ndryshme vlerësojnë midis 50,000 dhe 100,000. Shumica e tyre jetojnë në varfëri ekstreme. Si komunitet, ata janë përjashtuar sistematikisht nga shumë aspekte të shoqërisë dhe nuk ka pasur ndonjë përmirësim të dukshëm në vitet e fundit.

Një raport i KE-së i vitit 2020 zbuloi se këto komunitete në Shqipëri janë “më të margjinalizuara dhe të përjashtuara nga ana shoqërore”.

Ai vuri në dukje se pavarësisht se qeveria kishte miratuar një Plan Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve, ende numri i të regjistruarve në arsimin e detyruar ishte “shumë i ulët”.

Raporti gjithashtu vuri në dukje dëbimet e detyruara të kryera nga autoritetet pa njoftim, pa u siguruar strehim alternativ, ndaj komuniteteve rome. Ata vunë në dukje se në disa raste u përdor gazi lotsjellës dhe forca joproporcionale.

Një Raport i Bankës Botërore 2019 zbuloi se hendeku i të ardhurave midis romëve dhe individëve jo-romë ishte më i gjerë në Shqipëri, me një hendek prej 45.5%. Vendi gjithashtu performoi keq në drejtim të arsimit, qasjes në kujdesin shëndetësor dhe punësimit. Raporti e quajti progresin në integrim “të dobët”.

Në prill të këtij viti, Kryeministri Edi Rama përdori gjuhë përçmuese në mediat sociale kundër pomëve.

Pas protestave të romëve për trajtimin që ata morën gjatë pandemisë COVID-19, ai i akuzoi ata se e kishin mashtruar.
Organizatat lokale të të drejtave të njeriut i kritikuan komentet e tij duke thënë se ai përdori stereotipe diskriminuese dhe se ato ishin “të papranueshme”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>