Bashkimi Evropian nuk ka porositur vaksina të tjera AstraZeneca, përtej kontratës së fundit, që përfundon në fund të qershorit.
Lajmi u konfirmua të dielën nga Komisioneri Evropian mbi Tregun e Brendshëm, Thierry Breton.
“Nuk e rinovuam porosinë pas qershorit. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Breton, duke shtuar se ishte “një vaksinë shumë e mirë”.
Komisioni Europian ngriti padi kundër AstraZeneca muajin e kaluar, duke cituar si shkak mosrespektimin e kontratës së saj për furnizimin e vaksinave COVID-19.
Një tjetër arsye ishte edhe mungesa e një plani “të besueshëm” për shpërndarjen në kohë të vaksinave.
Breton gjithashtu deklaroi se pritej që kostot e porosisë së fundit të BE për vaksinat Pfizer-BioNTech të ishin më të larta se versionet e mëparshme.
“Mund të ketë pak kosto shtesë, por do të lë autoritetet kompetente ta zbulojnë në kohën e duhur,” i tha ai radios France Inter.
BE nënshkroi një kontratë të re me Pfizer-Biontech për marrjen e 1.8 miliardë vaksinave COVID-19 në perjudhën 2021-2023, për të mbuluar dozat e dyta të vaksinimit, por dhe si një strategji parandaluese ndaj versioneve më ngjitëse të virusit.
Ndërkohë, kompania anglo-suedeze AstraZeneca po përballet sërish me shqetësime mbi efektet e mundshme anësore të vaksinës së saj.
Rregullatori Europian i Barnave bëri me dije të premten se po shqyrtonte raportimet mbi një çrregullim të rrallë degjenerativ të nervave te njerëzit e vaksinuar me AstraZeneca.
Kjo do të ishte hera e dytë që vaksina ndodhet nën shqyrtim, pas rasteve të raportuara të mpiksjeve të gjakut.
AstraZeneca u përplas me BE-në në janar kur deklaroi se nuk do të ishte në gjendje të ofronte numrin e parashikuar të dozave .
Deri në fund të tremujorit të parë, kompania furnizoi BE-në me 30 milion doza, në vend të 100 milion doza të premtuara në kontratën e saj me BE-në.
Mungesat e vaksinave vështirësuan rëndë fushatat e vaksinimit në të gjithë vendet e BE-së.