Delegacioni i BE-së në Tiranë i ka kërkuar qeverisë të mos lejojë amnistinë e parave duke u transportuar me çanta por vetëm përmes transfertave bankare. Nëse paratë transportohen fizikisht nga vetë personi ato duhet të deklarohen në kufirin e vendit nga dalin.
Tre kritikat kryesore, të kryera në vijim të procesit të këshillimit me Ministrinë e Financave, sipas dokumentit të Delegacionit janë:
1 — Riatdhesimi i parave nga Amnistia Fiskale vetëm përmes bankave, ndryshe bëhet pastrim parash
Riatdhesimi i pasurive (neni 13) duhet të bëhet përmes transferimeve bankare ndërkombëtare në vend që të transferohen kesh, fizikisht. Nëse fitimet janë arritur jashtë vendit, transferimi i tyre mbi një kufi të caktuar duhet të deklarohet në zyrën doganore në kufi.
Përndryshe, projektligji rrezikon të krijojë një “dritare të mundësive” për evazion fiskal dhe pastrimin e parave.
2 — Konkurencë e pandershme ndaj bizneseve te ndershme
Bizneset vendase dhe të huaja kanë shprehur shqetësimet e tyre të forta në lidhje me konkurrencën e padrejtë nga ata që kanë ruajtur pasuritë e tyre jashtë sistemit deri më tani.
Në mënyrë që të jetë i besueshëm – dhe të mos rrezikoni të humbni besimin dhe pajtueshmërinë e tatim paguesve – çdo program i amnistisë fiskale duhet të ndërthurret me rritjen e zbatimit të ligjit ndaj atyre që nuk i paguajnë taksat.
3 —Amnistia fiskale pa forcuar administratën nuk mund të bëhet:
Nuk jepet asnjë garanci që pas amnistisë fiskale, të ashtuquajturit “Viti Zero” sistemi do të sigurojë zbatimin e duhur të legjislacionit fiskal në mënyrë që të ndalë praktikat e evazionit fiskal.
Shqipëria së pari duhet të ndërtojë një administratë fiskale profesionale, e cila do të bllokonte mundësitë për pastrim parash dhe korrupsion.
Kuvendi ende nuk e ka miratuar ligjin për Amnistinë Fiskale.
Më shumë për këtë mund të lexoni këtu, këtu, këtu, këtu,këtu.