Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ftoi qytetarët shqiptarë që mbrëmjen e së hënës të tregojnë mirënjohje, mbështetje dhe solidaritet ndaj mjekëve, policëve, zjarrfikësve dhe punonjësve të shërbimit social duke duartrokitur në dritare.
Përmes një postimi në Twitter, zyra e BE-së në Tiranë ftoi qytetarët që në orën 20:00 t’i bashkohen nismës së duartrokitjeve, e cila është përhapur masivisht në të gjitha vendet e Evropës.
“Ne do të duartrokasim me gjithë zemër duart sonte për punonjësit e sistemit shëndetësorë, hulumtuesit, zjarrfikësit, policët dhe këdo tjetër që po lufton kundër Covid-19. Bashkojuni duartrokitjeve tona sonte në orën 20:00”.
Duartrokitja nga dritaret nisi fillimisht si nismë në Itali në shenjë mbështetjeje ndaj personave që për shkak të punës – sidomos mjekët – rrezikojnë të infektohen nga koronavirusi.
Të hënën autoritetet shëndetësore raportuan 11 të infektuar të tjerë me koronavirus. Prej datës 9 mars janë diagnostikuar 223 të infektuar nga të cilët 44 janë shëruar dhe 11 kanë vdekur.