Deputeti i PS-së Ben Blushi bidesoi mbrëmë me gazetarin Sokol Balla, në Top Channel.
Më poshtë janë disa nga deklaratat kryesore të tij:
- “Rama bën koalicion me banditë.”
- “Me Edi Ramën nëse je vrasës, bëhesh deputet, nëse ke qenë me Saliun, bëhesh deputet, nëse je i pasur bëhesh kryetar bashkie dhe nëse je i gjatë sa Rama, bëhesh ministër.”
- “Jemi partia e parë në Europë që perëndimi na ka thënë dekriminalizojeni, sepse ligji kaloi për ne. Por si hynë banditët në Partinë Socialiste? Si hynë këta? Asnjëri nuk hyri vetë, i futi mungesa e demokracisë brenda partisë.”
- “Kam qenë më 21 Janar dhe si të gjithë u shpërndamë kur ndodhi. Nuk harroj dy gjëra, ai që i vrau, Berisha i vrau ata në pabesi, i vrau në kundërshtim me ligjin dhe në kundërshtim me çdo normë morale. Kjo nuk diskutohet. Por atë ditë Edi Rama i thirri njerëzit në protestë dhe iku. Nëse nuk do të ikte, por do kishte dalë në ballë të protestës, ata të katërt nuk do ishin vrarë. Pra, nëse unë thërras njerëzit në protestë, edhe sikur ta di që para meje ka armë, do dal vetë i pari. Edi Rama shet gjëra që nuk shiten, shet gjëra që nuk i bën dot, kështu shiti dhe 21 Janarin.”
- “Kjo parti e drejtuar nga Edi Rama në këto 3 vjet nuk ka demokraci, ka kryetarë banditë nëpër degë, ka njerëz nga shekulli i kaluar që kanë zaptuar jugun.”
- “Rama nuk bën zgjedhje, sepse Edi Rama nuk do metër, nuk do votimet se ato tregojnë sa veta të mbështesin dhe sa jo. Unë nuk jam vetëm, por edhe nëse jam vetëm kjo nuk është dobësia ime, por e një partie sepse dhe ata që mendojnë si unë nuk e thonë.”
- “Unë konkurroj se mendoj që e drejtoj PS më mirë se Edi Rama. E bëj më kolegjiale, më të hapur, një parti që nuk fut banditë dhe nuk zëvendëson ata që lexojnë me ata që kanë armë sepse kjo po ndodh.”
- “Të gjithë vendimet që janë marrë kohët e fundit në Parlament dhe ato që janë tërësisht personale. Të gjitha koncesionet. Sot PS nuk është as e majtë dhe as e djathtë, është konfuze. Në 3 vjet varfëria është shtuar dhe ne nuk bëjmë aq sa duhet për të varfërit. Po si mund të bëjmë për të varfërit kur partia ka ose banditë ose të pasur. Si ka mundësi që në grupin tonë parlamentar janë 10 njërzit më të pasur në Shqipëri? Pse vijnë ata në një parti të majtë?”
- “Ky koalicion dhe Edi Rama janë përgjegjës se nuk po gjejnë dot ekuilibrin e duhur. Koalicioni po prodhon pushtet, por jo reforma. Unë do ta ndryshoj këtë koalicion, do ta bëj më funksional.”
- “Kemi rritur borxhin publik dhe nuk e kemi futur në punë atë. Kemi rritur emigracionin sepse fatkeqësisht nuk ka më shpresë në këtë vend. Qeverisja jonë nuk ka qenë e drejtë në asnjë ditë të saj.”
- “Reforma në energji, unë kam qenë mbështetës i saj, por fatkeqësisht dha 3 rezultate: e para, financat e OSHEE nuk janë përmirësuar, e dyta ka qenë selektive. Keni dëgjuar ju ndonjë biznesmeni t’i merren detyrimet?! Jo. Dhe e treta ka rritur çmimin e energjisë për ata që janë më të varfër.”