Ish-Presidenti Sali Berisha reagoi pas publikimit të vendimit për ndalimin e hyrjes së tij në SHBA, nga sekretari i Shtetit Anthony Blinken, të mërkurën. Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shkruan se vendimin e morri vesh nga Twitteri. Berisha i kërkoi Sekretarit amerikan të Shtetit të bëjë publike provat për korrupsion ndaj tij:
“Gjatë 30 viteve në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresën time, nga asnjë person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni.
Shtoj gjithashtu se gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri më sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Ata deri më sot nuk kanë qënë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër.
Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë baze konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjarët e mi”.
Ai shprehu mirënjohjen “për gjithçka vendi i juaj i madh ka bërë për lirinë e kombit tim”, duke i kujtuar Bliken se ai nuk ka “nguruar kurrë të marr çdo vendim në interes të perbashkët midis dy vendeve”.
Berisha u shpreh se pavarësisht se ka 8 vjet që është larguar nga pushteti ka “denoncuar më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e droges, lidhjet e tyre me zyrtaret me te larte shqiptare, por edhe te huaj, korrupsionin e papermbajtur qeveritar ne Shqiperi”.
Ai tha se ka denoncuar jashtë dhe brenda vendit George Soros, “si korruptorin me kryesor te politikaneve te sotem dhe ne gjykimin tim, si nje armik te vertete te demokracise ne vendin tim, dhe planin e tij për “projektin e ndryshimit te Kufijve te Kosoves”.
Berisha u shpreh se vazhdon ti qendroj qendrimeve të tij:
“Se fundi, duke mos pretenduar kurre se une jam i pagabueshem, duhet t’ju garantoj se une ndjehem krenar me te gjitha qendrimet e mia dhe ju siguroj se ato kane qene dhe do te jene te motivuara vetem nga interesi publik dhe kombetar i kombit shqiptar dhe e verteta”.