Konkurrenca e pandershme dhe mungesa e energjisë elektrike janë dy pengesat kryesore për sipërmarrësit shqiptarë për të zhvilluar biznesin e tyre. Ky përfundim u nxorr pas një anketimi të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në anketim, që kishte për qëllim të nxirrte në pah vështirësitë e bizneseve në Ballkanin Perëndimor, u morën në pyetje 1 800 sipërmarrës nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia e Bosnje-Hercegovina.
Konkurrenca e pandershme nga sektori informal renditet si pengesa kryesore e sipërmarrësve shqiptarë, me një vlerësim prek 16,8 për qindësh. Ndërsa mosfurnizimi i rregullt me energji elektrike renditet në vend të dytë më 13,6 për qind.
Tjetër vështirësi në Shqipëri, bizneset kanë hasur dhe në aksesin ndaj financave (12,9 për qind) dhe keqadministrimi i taksave dhe procedurat e komplikuara e të fryra tatimore (11,6 për qind). Sipërmarrësit shprehen se bankat shpeshherë i kanë refuzuar dhënien e kredive apo se kanë marrë kredi me interesa të larta. Po ashtu, sipërmarrësit, kryesisht ata të vegjël e të mesëm, duke qenë se nuk kanë mjaftueshëm staf të dedikuar për procedurat tatimore, hasin vështirësi të shumta në plotësimin e tyre.
Në rajon, treguesit të vlerësuar si penguesit kryesorë në të bërit biznes janë konkurrenca e pandershme, destabiliteti politik, aksesi i dobët në financa, nivelet e larta të taksave dhe korrupsioni.