Ekzistojnë dy pengesa kur raportohet kriza e shfrytëzimit të burimeve natyrore. E para, kur media nuk thellohet te problemi dhe e dyta, kur media nuk e kupton problemin, edhe kur kërkon të thellohet.
Gjatë fushatës, Edi Rama i shndërroi këto pengesa në favorin e tij. Ndërsa u përpoq t’i gozhdonte kundërshtarët politikë dhe gazetarët nëpër studio me akuza personale, thelbi përmbajtësor i fushatës elektorale u mbështet, kryesisht, në potencialin e mundshëm energjitik dhe atë turistik të vendit, gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
Gjithkush e ka të freskët lajtmotivin kryesor të fjalimeve të tij për shndërrimin e Shqipërisë në eksportuese neto të energjisë në rajon.
Ai promovoi marrëveshjet, për vënien në punë të termocentralit të Vlorës në jug; për ndërtimin e paneleve diellore, në Karavasta e Spitallë, në perëndim; për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës në veri, por nuk i përmendi koncesionet e hidrocentraleve të dhëna mbi Vjosë prej qeverisë së tij.
Kudo ku shkoi më tej, ai premtoi ndërtimin e aeroporteve të reja (gjithsej katër), në një kohë, kur Bashkimi Europian ka vendosur uljen e shkarkimeve të karbonit në ajër, duke miratuar me përparësi strategjinë e gjelbër të zhvillimit, me objektiv shpalljen e Europës, si i pari kontinent që nuk do të ndikojë në ndryshimin e klimës në botë.
Debati mediatik ndaj këtij “vizioni” rezultoi jashtëzakonish i varfër, duke ushqyer propagandën e kujdesit për mjedisin në kurriz të çështjes mjedisore, çka lidhet drejtpërdrejtë me (mos)përfshirjen e përfaqësuesve të grupeve politike dhe mediatike.
Në 29 mars, vetëm për një ditë të vlefshme, çështja e Vjosës arriti të ngrihej në lartësinë e prime time-it. Neritan Sejamini, autori i “Me pak fjalë”, një risi mediatike që transmetohet në “Euronews Albania”, i kushtoi Vjosës kohën e tij të plotë, duke prezantuar përpara publikut historinë e betejës për një Vjosë pa diga.
Disa ditë më pas, një tjetër program i të njëjtit kanal televiziv, “Shock”, një emision-debat mes dy gazetarëve, Andi Bushati dhe Baton Haxhiu, përplasi qëndrimet e tyre të kundërta lidhur me çështjen e statusit të Vjosës.
Këto ishin të vetmet emisione të dedikuara. Gjithçka tjetër në hapësirën mediatike, përkoi me konfliktin politik dhe elektoral mes palëve.
Megjithëse Vjosa është njohur ndërkombëtarisht; megjithëse janë shkruar me qindra artikuj për të, janë zhvilluar me dhjetëra takime dhe janë kryer një dyzinë studimesh shkencore, në këtë fushatë, media nuk arriti t’u shmangej praktikave të shkuara të raportimit, e ndikuar nga presioni politik që ndikon ende pavarësinë redaksionale.
Ndonëse qeveria i dha Luginës së Vjosës statusin “Park Natyror”, pakkush foli për pamundësinë e statusit në fjalë për ta mbrojtur Vjosën nga koncesionet e hidrocentraleve. Disa gazetarë nuk arritën ta bëjnë dallimin, mes Parkut Kombëtar dhe Parkut Natyror, i cili, ky i fundit, siguronte një shkallë më të ulët mbrojtje, aspak të mjaftueshme për të shfuqizuar hindocentralet.
Mosshpallja e Vjosës, “Park Kombëtar”, u justifikua me pretendimin se dhënia e statusit do të kufizonte zhvillimin e territoreve urbane që shtrihen përgjatë Luginës së Vjosës, duke lënë mënjanë pamundësinë ligjore të pezullimit të dy kontratave koncesionare, të hidrocentralit të Pocemit dhe të hidrocentralit të Kalivaçit, të dhëna të dyja nga kjo qeveri. Argumenti i ofruar prej autoriteteve nuk u bë pjesë e verifikimit dhe e shqyrtimit mediatik.
Këtë fushatë, Edi Rama mbërriti në Tepelenë në shtatë prill dhe zhvilloi takimin elektoral në të njëjtin shesh, ku pesë vite më parë kishte premtuar shpalljen e Vjosës, park kombëtar. Por ai nuk e mbajti premtimin, ndaj dhe çështja e Vjosës nuk u përmend.
Gjatë fjalimit, ai u kërkoi emigrantëve që të ktheheshin për të investuar paratë e tyre për të ngritur bujtina, me qëllim që të zhvillonin turizmin e fshatit dhe të promovonin natyrën e virgjër. Vështirë të imagjinohet promovimi i agroturizmit, kur rreth 5000 hektarë tokë mund të përmbyten nga ndërtimi i digave të Poçemit dhe Kalivaçit.
I gjendur ngushtë, Edi Rama ka premtuar më shumë se njëherë, se megjithëse Vjosa nuk u shpall Park Kombëtar, digat e Poçemit dhe të Kalivaçit nuk do të ndërtohen. Por, përse duhet besuar ai kësaj here, kur në 2015-n, megjithëse kishte premtuar ndalimin e hidrocentraleve mbi Vjosë, në 2017-n, qeveria e tij miratoi hidrocentralin e Kalivaçit?!
Gjatë fushatës, udhëtova në Qarkun e Gjirokastrës, në përpjekje për të kontaktuar, drejtpërdrejt, përfaqësuesit e grupimeve politike, kandidatë në zgjedhjet e 25 Prillit.
U përpoqa, fillimisht, të kontaktoj përfaqësuesit e dy partive të mëdha, por nuk qe e mundur. Ua dërgova pyetjet, përmes WhatsApp-it. Pyetësori kishte të bënte me Vjosën dhe me zhvillimin e qëndrueshëm të Qarkut; me të ardhmen e tij, aq shumë të promovuar gjatë fushatës.
Kandidatët refuzuan të përgjigjeshin. Ndërkohë që për javë të tëra, ata kishin promovuar atë çka i pyesja; kishin mbushur llogaritë personale nëpër rrjete sociale me portrete dashamirësish, me skena të zgjedhura, sipas një rendi e qëllimi të përcaktuar deri në detaj; ishin kujdesur të zgjidhnin fjalë të ngrohta, të ëmbla, madje, të shprehura poetikisht, në përpjekje për të përcjellë një entuziazëm imponues, çka në thelb i shërbente vetvetes dhe partive për të cilat kandidonin, kur erdhi puna të përballeshin me publikun e vërtetë, përmes kontakteve të drejtpërdrejta me gazetarë, ata refuzuan.
I vetmi që u përgjigj ishte Kreshnik Merxhani, kandidati i pavarur që garonte në emër të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai shkoi më tej, duke kërkuar, krahas shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, edhe dhënien e statusit si Trashëgimi Botërore Natyrore, nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Katër ditë më parë, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, i cili do të ndërtohet brenda territorit të Lagunës së Nartës. Krahas aeroportit, qeveria vendosi edhe ngritjen e një ofiçine, për riparimin e avionëve të tjerë. Kësisoj, Laguna e Nartës, një prej më të rëndësishmeve të Mesdheut Lindor, e cila gëzon mbrojtje, kombëtare dhe ndërkombëtare, rrezikon të shndërrohet në një parkim avionësh.
Por, njësoj si Vjosa, Laguna e Nartës është zonë e mbrojtur dhe nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e aeroportit, një vepër, jashtëzakonisht e rëndë infrastrukturore, është një veprim që shkel ligjin për zonat e mbrojtura, të paktën, për aq kohë sa Laguna gëzon statusin mbrojtës.
Të nesërmen e nënshkrimit, organizatat e shoqërisë civile tentuan të protestojnë publikisht, por policia i ndaloi. Në media, debati publik ndaj çështjeve mjedisore është zbehur edhe më shumë, ndërsa fushata elektorale ka mbërritur pikën e saj kulmore.
Fushë-beteja për mjedisin dhe burimet natyrore u spostua në periferi të debatit elektoral. Ajo reflektoi perceptimin, disi tradicional, se i shërben një grupi të vogël konservuesish të natyrës dhe se interesi publik, reflektohet diku tjetër, në zemër të debatit politik mes palëve…
Në fakt, është krejt e kundërta! Situata e ngarkuar elektorale, që mbështetet nga klasa politike dhe klasa mediatike, është në funksion të atyre vetë, duke i shërbyer një grupi të vogël përfituesish, i cili shpërfill interesat e vërteta publike, në favor të krijimit të kamjes, fuqisë dhe teknologjisë në kurriz të burimeve tona natyrore.